Izraeli dhe Libani mbajnë këtë të martë bisedime në Uashington, teksa lufta vazhdon dhe nuk ka sinjale se një armëpushim është afër.
Takimi organizohet nga Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio, me praninë e ambasadorëve izraelite dhe libanezë në Shtetet e Bashkuara.
Ky është takimi më i lartë i drejtpërdrejtë midis Izraelit dhe Libanit që nga viti 1993.
Bisedimet, të cilat do të zhvillohen mes luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut dhe një pushtimi të gjerë tokësor izraelit në Libanin jugor, do të përqendrohen në mundësinë e një armëpushimi dhe çarmatosjen afatgjatë të Hezbollahut, së bashku me një marrëveshje paqeje midis vendeve.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë propozimet e qeverisë libaneze për të zhvilluar bisedime direkte.
Javën e kaluar, nën presionin e Donald Trump për të ulur tensionet, Netanyahu pranoi të mbajë takimin midis ambasadorëve izraelitë dhe libanezë në Uashington si një hap i parë në bisedimet e paqes midis vendeve.
Përpara takimit, qeveria libaneze dhe administrata Trump i kanë kërkuar Izraelit një pauzë në sulmet e tij kundër Hezbollahut.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se biseda do të përfshijë dialogun e vazhdueshëm për garantimin e sigurisë afatgjatë të kufirit verior të Izraelit dhe të mbështetet vendosmëria e Qeverisë së Libanit për të rimarrë sovranitetin e plotë mbi territorin.
Zyrtari amerikan theksoi se Izraeli është në luftë me Hezbollahun, jo me Libanin, kështu që nuk ka asnjë arsye që dy fqinjët të mos flasin.
Libani ka qenë një çështje e nxehtë edhe e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për nje marrëveshje paqeje. Irani kërkon që Libani të përfshihet në armëpushim, ndërsa Izraeli nuk ka pranuar.


