Europa e priti me një ndjesi lehtësimi fitoren e Peter Magyar në zgjedhjet parlamentare të Hungarisë. Gjatë 16 viteve në pushtet, Viktor Orbán kishte bllokuar nisma të rëndësishme, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe paketat e ndihmës për Ukrainën.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti fitoren e Magyar, duke deklaruar se Hungaria ka zgjedhur Evropën dhe se Bashkimi Evropian bëhet kështu më i fortë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, vlerësoi pjesëmarrjen demokratike dhe angazhimin e popullit hungarez ndaj vlerave evropiane.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e përgëzoi Hungarinë për rezultatin dhe ftoi Magyar të bashkojë forcat për një Evropë më të fortë dhe më të sigurt.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, deklaroi se fitorja e avokatit 45-vjeçar përbën një moment historik, jo vetëm për Hungarinë, por edhe për demokracinë evropiane.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes një statusi në rrjetin social X, u shpreh se kishte qenë kënaqësi të bashkëpunonte me Orbán, ndërsa i uroi suksese kryeministrit të ri, Peter Magyar.
Nuk pati një koment të menjëhershëm nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i konsideruar si një nga mbështetësit kryesorë të Orbán gjatë fushatës. Megjithatë, përfaqësues të Partisë Demokratike në SHBA mirëpritën humbjen e konservatorit të djathtë, duke deklaruar se ekstremistët e lëvizjes së Trump mund të jenë të radhës që do të humbasin.
Reagim pati edhe nga Ukraina, e cila i ndoqi këto zgjedhje me vëmendje. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Kievi ka synuar gjithmonë marrëdhënie të mira fqinjësore me vendet evropiane dhe se pret të avancojë bashkëpunimin me Hungarinë.


