Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka vlerësuar rëndësinë e Samiti i Katërt i Diasporës që po mbahet në Tiranë, duke e cilësuar diasporën shqiptare si një pasuri të madhe kombëtare.
Sipas tij, pas viteve 1990, Shqipëria u përball me një diasporë të paidentifikuar për shkak të mënyrës së largimit masiv të qytetarëve, shpesh në kushte të vështira. Megjithatë, sot kjo diasporë përbën një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, si në aspektin ekonomik përmes remitancave dhe investimeve, ashtu edhe në promovimin e kulturës dhe imazhit shqiptar në botë.
“Ne kishim një diasporë të paidentifikuar, edhe nga vetë mënyra se si u larguan njerëzit pas viteve 1990, ku ikën përmes detit, maleve. Kjo eksperiencë është shumë frytdhënëse për vendin. Diaspora është një pasuri shumë e madhe në shumë drejtime. Në sensin ekonomik, ku remitancat vijnë në Shqipëri, e dyta edhe investimet. Është integrimi i kulturës shqiptare, me kulturën botërore. Është zhvillimi i diasporës dhe i imazhit.
Diaspora është e sistemuar në botë. Të mos harrojmë që shumë njerëz nga diaspora shqiptare, janë politikanë nëpër botë. Të mos harrojmë rolin e madh në art dhe në kulturë. Në një sens më të përqendruar, tani e kuptojmë se një vend që nuk ka diasporë, është një vend që nuk ka se ku të shihet në pasqyrë. Diaspora është një aset i madh, është një rol i madh diplomatik. Nuk mund të zhvillosh asete diplomatike, pa pasur një diasporë”, tha Çupi.


