Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Asambleja e Partisë Socialiste në Vlorë se Shqipëria po përjeton një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve dhe të të ardhurave nga sektorë të ndryshëm, duke theksuar se ky zhvillim nuk reflektohet gjithmonë në perceptimin publik të ndikuar nga rrjetet sociale.
Ai nënvizoi rëndësinë e mos humbjes së kohës në proceset kyçe, veçanërisht në kuadër të negociatave me Komisioni Europian, duke sjellë në vëmendje miratimin e 27 ligjeve të lidhura me këtë proces. Rama theksoi se shumica parlamentare prej 83 votash është vendimtare për të mos rrezikuar një tjetër mundësi historike për vendin dhe për të çuar përpara integrimin europian, ndërsa u bëri thirrje socialistëve të forcojnë më tej partinë në çdo bashki të vendit.
“Numri i turistëve dhe të gjitha kategoritë dhe burimet janë në rritje, janë në rritje domethënëse. A mund të mendosh se këtë gjë mund ta marrësh vesh nga ato pasqyrat që hapen me gisht në telefon, nuk bëhet fjalë. Sigurisht që ato pasqyrat ndikojnë negativisht në psikologjinë e njerëzve. Është shumë e rëndësishme që të mos kemi humbje kohe. Ishin 27 ligje, që ishin pjesë e negociatave.
Për të kuptuar të gjithë ju se si funksionin kalendari dhe pse koha është flori, po ju them që unë nuk mund të isha dot në atë seancë, sepse duhet të isha jashtë, i kam marrë personalisht në telefon në Bruksel, dhe u kam thënë që dua të jem edhe unë personalisht. Imagjinoni sikur ne të mos kishim 83 vota, por të kishim 77 vota, ku Komisioni Europian nuk pret dot 3 ditë.
Fati që po i buzëqesh Shqipërisë, do nxihej përsëri dhe do e humbiste përsëri një shans historik, që e ka humbur më parë. Populli shqiptar që janë si ju, që janë pararoja e kësaj lëvizje kombëtare, na erdhi në takim më 11 maj dhe na dha 83 mandate, jo për mua, pro për të mos lejuar që negociatat të bëheshin pre e molotovëve dhe molotovarëve. Ne këtë duhet ta kemi parasysh . Ne këtë duhet ta kemi parasysh çdo ditë, që PS ta bëjmë më të fortë. Kur të vijë viti tjetër, ne ta konfirmojmë partinë në çdo bashki të vendit. Ne duhet të vazhdojmë drejt, sepse 83 vota i kemi dhe nuk i përdorur për të koncentruar pushtet, por për të bërë shtetin e shqiptarëve”, tha kryeministri Rama.


