E përditshmja e kryeqytetit I ka vendosur epitetin e duhur. “AS” nga Madridi e cilësoi Vedat Muriqin si mbinjeri, pasi sulmuesi i Kosovës shënoi dy gola të tjerë në La Ligën e Spanjës, duke u bërë rekordmen dhe shpresa më e madhe e Majorkës për të mbijetuar.
Ylli “dardan” goditi në minutat 36 e 40, pra që në pjesën e parë, duke shtruar rrugën për fitoren 3-0 ndaj Rajo Vajekanos, që duket se më shumë e kishte mendjen tek Europa.
Tashmë, Muriqi ka kaluar legjendën e madhe të Kamerunit, të Barcelonës, Interit dhe të Majorkës, si shënuesi më i mirë i ekipit në histori në kampionatin spanjoll.
Ai ka 55 rrjeta në La Liga, ndaj 54 të kamerunasit. Po ashtu, ka 21 rrjeta këtë sezon, vetëm dy më poshtë sesa Kilian Mbape, që kryeson renditjen e Këpucës së Artë.
“Muriqi është mbinjeri, – është titulli superlativ I të përditshmes “AS” të Madridit, – Kosovari siguron fitoren dhe nxjerr Majorkën nga zona e ftohtë!”
“Muriqi rimon me Piçiçi, – shkruan “Marka”, ndërsa Piçiçi është emri që përdorin në Spanjë për golshënuesin më të mirë, – kosovari kalon Etonë si shënuesi më I mirë I të vetëve në ligë, ngjitet në -2 nga Mbape!”
Në total, 31-vjeçari ka 56 rrjeta për Majorkën në të gjitha konkurrimet, ndërsa ka luajtur 148 ndeshje, dhe me një mesatare jo larg Etosë.
Ish-ylli nga Kameruni kryeson këtë renditje me 70 gola dhe pas tij vjen Prats me 59, por shqiptari nga Prizreni e ka vetëm çështje kohe për ta thyer edhe këtë rekord.
Majorka ka 34 pikë, dy mbi zonën që të zbret në kategorinë e dytë dhe me një Muriqi kaq në formë shanset janë të mira që do t’ia dalë të qendrojë në elitën spanjolle.
Po ashtu, sulmuesi mund të bëhet shqiptari I parë, nga Kosova, Shqipëria apo kudo qoftë, që të shpallet Këpuca e Artë e njërës prej 5 ligave të mëdha të Europës.


