Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar me sipërmarrës në Berat, u ndal tek një sërë çështjes si rritja e pagave në bujqësi, investimet, lehtësimin e taksave dhe skemat e tjera mbështetëse për këtë sektor, me synimin që të arrihet një standard prodhimi që të jetë i tregtueshëm për tregun e madh të BE-së.
Kryeministri Rama vendosi thekin edhe te siguria ushqimore duke thënë se është shumë e rëndësishme që të nisë puna për standardet e BE dhe që të mos anashkalohen kriteret dhe rregullat për cilësinë.
“Një nga sfidat kryesore është siguria ushqimore. Duke u bërë pjesë e BE, dua që të gjitha ata që merren apo kanë investuar në prodhim duhet të garantojnë standardet. Ka ardhur një inspektim nga BE për pjesën më delikate që është për bylmetrat dhe mishi. Janë mbi 900 pika në Shqipëri që trajtojnë këtë pjesë të fushës së bujqësisë dhe kanë lënë një sërë rekomandimesh. Nga kategoria që duhet të bëjë disa përmirësime për të arritur standardet…deri te kategoria që sipas tyre duhet hequr fare te lista. Unë besoj shumë që shqiptarët kanë aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur dhe do t’i rezistojnë kësaj dallge. Po duhet që puna të nisë që tani”, tha ai.


