Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se e thirri në takim të enjten ambasadorin e Irakut për t’i dënuar “sulmet e rënda terroriste” nga grupe të armatosura të mbështetura nga Irani ndaj interesave amerikane në Irak.
Shtetet e Bashkuara “nuk do të tolerojnë sulme ndaj interesave të tyre dhe presin që Qeveria irakiane t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për t’i shpërbërë grupet e milicive të lidhura me Iranin në Irak”, tha zëdhënësi Tommy Pigott në një deklaratë.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, e thirri ambasadorin irakian, Nazar Al-Khirullah, dhe para tij shprehu “dënimin e fortë” të Qeverisë amerikane për sulmet, “përfshirë një pritë më 8 prill ndaj diplomatëve amerikanë në Bagdad”, tha Pigott.
Ai nuk dha hollësi të tjera mbi rreth pritës së supozuar.
Iraku u përfshi në konfliktin mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit, pasi kishte sulme të vazhdueshme ndaj interesave amerikane, veçanërisht në Ambasadën amerikane në Bagdad.


