Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët ka deklaruar se zhvillimet e fundit në Kuvendin e Maqedonia e Veriut kërkojnë përgjegjësi të lartë për të përcjellë realitetin e gjendjes së shqiptarëve.
Ajo theksoi se qëndrimi në foltore dhe reagimet institucionale janë mënyra për të kundërshtuar çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje përdorimin e gjuhës shqipe.
Dauti kritikoi edhe deklaratat e disa deputetëve shqiptarë, duke i cilësuar si të dëmshme dhe që i japin kurajo palës tjetër.
“Është përgjegjësi e lartë sepse nëpërmjet asaj që ndodhi në kuvend duhet të përcillet vërtetësia e gjendjes sonë. Ajo që ndodh aty duhet të ndodhte patjetër, qëndrimi në foltore. Paralelisht, këtu në Maqedoninë e Veriut, GJK mban nën kërcënim ligjin për përdorimin e gjuhës. Në fund të 2024 ne kemi bërë një protestë përmes tendave.
Tani po matim pulsin edhe nëpërmjet qëndrimit tonë në kuvend. Ne kemi për obligim që përmes sjelljeve tona të përcjellim mesazhin se qëndrimet tona ndaj përdorimit të gjuhës janë të qarta dhe kushdo që i vë në pikëpyetje do të hasë me rezistencë. Paralelisht me kushtetuesen kemi deklarata absurde nga deputetë shqiptarë që e vënë në pikëpyetje shqipen si gjuhë, kjo i jep kurajo palës tjetër.
Nuk është hera e parë që ne ballafaqohemi me politikanë që e kanë këmbyer luftën për mbrojtjen e shqiptarëve me rehatinë për pushtet.”


