Bashkimi Europian do të goditet sërish nga presionet stagflacioniste, çka nënkupton rritje të ulët ekonomike dhe inflacion të përshpejtuar për shkak të shtrenjtimit të çmimeve.
Paralajmërimin e bëri Komisioneri i ekonomisë i Unionit, Valdis Dombrovskis sipas të cilit Komisioni po përgatitet të ulë parashikimin e rritjes për këtë vit për shkak të pasojave të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Pasiguria nga lufta mbetet e lartë tha ai dhe ekonomitë e unionit qartazi po përballen me një shok stagflacionist. Komisioni pritet të përditësojë parashikimin zyrtar në maj. Para nisjes së konfliktit, vlerësimet ishin që ekonomia e Eurozonës të rritej me 1.4% këtë vit.
Por, në skenarët e fundit parashikohet që rritja ekonomike të ngadalësohet deri në 0.4% nëse çmimet e energjisë kthehen në nivelet e paraluftës brenda vitit 2026. Ndërkohë inflacioni sipas vlerësimeve paraprake mund të rritet nga 1 deri ne 1.5% në skenarin më negativ.
Komisioneri i ekonomisë Dombrovskis përsëriti se vendet e unionit nuk duhet ta shndërrojnë krizën e energjisë në një krizë fiskale përmes shpenzimeve të tepërta. Hapësirat janë të kufizuara tha ai dhe masat që merren për zbutjen e çmimeve duhet të jenë të qarta dhe të përkohshme.
Komisioni Europian pritet ndërkohë që të vlerësojë në qershor nëse vendet janë në rrugën e duhur për të përmbushur objektivat e tyre lidhur me uljen e deficitit dhe borxhit publik.


