Në Ditën Botërore të Romëve, shqetësimi kryesor i aktivistëve dhe arsimtarëve mbetet ruajtja e identitetit kulturor të këtij komuniteti, përballë sfidave të integrimit në shoqëri.
Në Fier, një nga zonat me përqendrimin më të madh të komunitetit rom është Levani, ku sipas arsimtarëve, vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve romë të përfshirë në sistemin arsimor. Kjo është ndikuar edhe nga politikat mbështetëse, si bursat e ofruara nga bashkia.
Megjithatë, paralelisht me këtë integrim, po shfaqet një tjetër fenomen shqetësues: rreziku i asimilimit. Tradita dhe kultura rome po zbehet gradualisht sipas tyre, për shkak të mungesës së arsimit në gjuhën rome.
Më shumë se 20 mijë banorë romë jetojnë në zonat e Levanit dhe Baltëz, duke përbërë një nga komunitetet më të mëdha në vend. Edhe pse përfshirja e fëmijëve në shkolla ka ardhur në rritje, sfida kryesore për pushtetin vendor mbetet krijimi i kushteve për ruajtjen e identitetit të tyre kulturor.
Hapja e klasave në gjuhën rome shihet si një hap i domosdoshëm për të balancuar integrimin me ruajtjen e traditës, në mënyrë që kjo popullsi të mos humbasë identitetin e saj.


