Studentët në Republikën e Maqedonisë së Veriut po përballen me padrejtësi, pasi nuk u mundësohet dhënia e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, edhe pse kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.
Edhe pse gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka status zyrtar, provimi i jurisprudencës, i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve juridike si avokat, gjyqtar apo prokuror, aktualisht po zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase.
Analisti Sefer Selimi tha se studentët nuk do tërhiqen dhe se ccështja e tyre është e drejtë. Më tej Selimi shtoi se studentët kaluan një proces të gjatë konsultimesh publike dhe individuale me ministra dhe deputetë, por nuk u dëgjuan dhe zgjodhën rrugën e protestës.
“Kauza e studentëve nuk lidhet vetëm me një të drejtë që u takon dhe është kushtetuese, por lidhet me një proces më të gjerë që po udhëhiqet nga Mitskoski. Protesta e sotme ishte një paralajmërim për institucionet, por edhe për vetë kryeministrin, se ata nuk do të heqin dorë.
Ata kaluan një proces të gjatë konsultimesh publike dhe individuale me ministra dhe deputetë, duke u shpjeguar nevojën dhe të drejtën e tyre. Ata nuk u dëgjuan dhe rruga e protestës ishte ajo që nuk mund të ndalte zërin e tyre. Politika bën mirë të dëgjojë. Sipas paralajmërimeve të studentëve, ata nuk do të heqin dorë.” / abcnews.al /


