Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me qytetarët në Njësinë numër 3 të Tiranës, ku theksoi fillimin e një faze të re të rritjes sistematike të pensioneve. “Ka qenë diçka që jo se nuk e donim, por nuk e bënim dot, sepse nuk kishim mundësitë, duhet të rrisnim ekonominë. Ja pra që ne e bëmë, sepse rritëm mundësitë dhe ekonominë”, deklaroi Rama, duke theksuar se kjo rritje do të jetë më e madhe se çdoherë tjetër dhe se do të vazhdojë deri në vitin 2030.
Ai gjithashtu njoftoi një program të ri për familjet që marrin ndihmë ekonomike, i cili synon të sigurojë që fondet shtetërore të përdoren për nevoja ushqimore dhe jo për shpenzime të tjera si bixhozi apo alkool.
“Tani të fillojmë rritjen sistematike të pensioneve. Ka qenë diçka që jo se nuk e donim, por nuk e bënim dot, sepse nuk kishim mundësitë, duhet të rrisnim ekonominë. Ja pra që ne e bëmë, sepse rritëm mundësitë dhe ekonominë. Nuk rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit, nuk rriten pagat dhe pensionet siç i rritëm ne.
Në Janar ishte rritja x, deri në vitin 2030 do të jetë një rritje x herë 5. Një program tjetër që do e fusim shpejt, është një program që familjet me ndihmë ekonomike, që të marrin ushqimet. Që shteti të dijë se lekët për familjet me ndihmë ekonomike, të shkojnë për ndihmë ekonomike, jo për raki dhe bixhoz”, tha Rama.


