Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me qytetarët në njësinë nr. 14 në Tirana, ku u ndal tek zhvillimet ekonomike dhe sfidat aktuale të vendit.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se respekti në arenën ndërkombëtare nuk lidhet me paraqitjen apo kontaktet, por me atë që përfaqëson një vend dhe vlerat që ai përcjell.
Rama u shpreh se Shqipëria ka arritur të paraqitet ndryshe në sytë e botës, duke evidentuar rritjen e ndjeshme të investimeve të huaja, nga nivele minimale në të kaluarën në shifra shumë më të larta aktualisht.
Megjithatë, ai pranoi se vendi përballet ende me sfida të rëndësishme, si zhvillimi i infrastrukturës në raport me rritjen urbane, nevoja për më shumë institucione arsimore dhe çështja e pazgjidhur e legalizimeve.
“Krijimi i një respekti në arenën ndërkombëtare nuk është një çështje se si vishesh apo me kë flet, por me çështjen se po me kë flet, por me çështjen se çfarë përfaqëson. Unë mendoj se ne kemi pasur se çfarë të tregojmë dhe ajo është një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri tjetër.
Në atë kohë mesatarja e investimeve të hyja në Shqipëri ishte 1-2 milionë, kurse tani kemi kaluar 1.5 miliardë lekë investime të huaja. Kemi plot gjëra që duhet të ndryshojmë. Rritet ekonomia, nduke ndërtuar më shumë apartamente, kjo rritje shkon në proporcion të zhdrejtë me infrastrukturën. Edhe pse ne e bëmë zgjidhjen për një shkollë, unë mendoj që duhet edhe një tjetër. Tema e legalizimeve është një temë shumë e rëndësishme me të cilën nuk po ndahemi dot”, tha Rama.


