Një tërmet i fuqisë 5.1 shkallë të Rihterit, ka goditur zonën pranë një kompleksi bërthamor në Iran, njoftuan ekspertët e Shteteve të Bashkuara dhe ata evropianë, më 27 dhjetor.
Instituti Gjeologjik i SHBA-së e vlerësoi tërmetin si të moderuar, që do të thotë se mund të ketë dëme të konsiderueshme, por mediat shtetërore iraniane thanë se nuk u raportuan dëme në zonën bërthamore.
Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane, raportoi gjithashtu se rajonin e goditi një tërmet prej 5.1 shkallë të Rihterit.
Epiqendra ishte 53 kilometra në lindje të Bushehrit, një kompleks bërthamor në bregdetin jugor të Iranit në Gjirin Persik.
Megjithatë, impianti është krijuar për t’i bërë ballë tërmeteve shumë më të forta.
Në vitin 2003, një tërmet me fuqi 6.6 shkallë, shkatërroi qytetin historik të Bamit, duke vrarë 26.000 njerëz.
Kompleksi bërthamor në Bushehr, nuk ishte dëmtuar në atë kohë, edhe pse ndodhej afër epiqendrës së tërmetit.
Në nëntor, Irani filloi punën për ndërtimin e një reaktori bërthamor të dytë në atë zonë, si pjesë e një projekti për të zgjeruar objektin me ndihmën e ekspertizës inxhinierike ruse.
Bushehr, i cili u bë termocentrali i parë civil në Lindjen e Mesme, monitorohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara (IAEA).
Irani ballafaqohet me sanksione të ashpra të Shteteve të Bashkuara për shkak të programit të tij bërthamor.
Uashingtoni pretendon se Teherani synon krijimin e armëve bërthamore, dhe është zotuar se nuk do ta lejojë asnjëherë një gjë të tillë./Burimi: REL