TIRANË- Kryeministri Rama deklaroi se administrata publike në Shqipëri ka pësuar një transformim të madh gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se praktikat e ryshfetit apo bakshishit janë minimizuar për shkak të shërbimeve online.
Ai theksoi se sot qytetarët nuk janë më të detyruar të paguajnë ryshfet për të marrë shërbime publike, pasi mbi 1000 shërbime ofrohen online përmes platformës e-Albania.
Sipas tij, qytetarët mund të aksesojnë këto shërbime drejtpërdrejt nga celulari apo kompjuteri, duke shmangur kontaktin fizik me administratën dhe duke reduktuar hapësirat për abuzim.
Në këtë mënyrë, Rama e cilësoi digjitalizimin si një hap kyç drejt rritjes së transparencës dhe lehtësimit të aksesit të qytetarëve në shërbimet publike.
“Deri përpara një dekade, në Shqipëri nuk merrje dot asnjë shërbim pa bakshish, edhe për të marrë një certifikatë lindjeje, të qëllonte të paguaje bakshish.
Sot shqiptarët nuk janë të detyruar të paguajnë bakshish për të marrë mbi 1000 e kusur shërbime, të cilat i marrin nga celulari apo kompjuteri përmes platformës e-albania.”, u shpreh kryeministri Rama, në një bashkëbisedim me studentët e Tiranës./abcnews.al


