TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka bërë thirrje për përqendrim maksimal në procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria nuk duhet të humbasë këtë moment historik.
Gjatë një bashkëbisedimi me studentët në kryeqytet, Rama nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian është e vetmja politikë e madhe dhe prioriteti kryesor për vendin.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një moment të favorshëm për t’u bërë pjesë e BE-së, ndaj kërkohet angazhim i plotë për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe për të përfituar nga kjo “dritare historike”.
Rama theksoi se ky proces kërkon përpjekje të përbashkëta dhe vendosmëri, në mënyrë që vendi të mos humbasë mundësinë për t’u integruar në familjen europiane.
“Pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes është : sa kohë kemi? Nuk i vjen fati çdo brezi të bëjë histori.
Ka momente në jetën e një populli ku një brezi i duhet ose të përballet me historinë ose të ndodh siç po na ndodh tani është një moment që mund të bëjmë historinë duke hyrë në BE.
Është hapur një dritare ose më saktë është hapur dera, por dera mund të mbyllet, por e rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet dera dhe nuk do bëhemi sebep që të mbyllet dera, por dera mund të mbyllet pas një viti, pas dy vitesh apo tre vjetësh, sepse ata mund të rikthehen në një situatë ku thonë “prit njëherë”.
Ne duhet të bëjmë maksimumin në këto vite që kemi përpara ku duket që dera është plotësisht e hapur dhe për këtë arsye nuk duhet të humbasim fokusin.
E vetmja politike e madhe që kemi ne, është të bëhemi pjesë e BE. Ne nuk duhet të humbasim ketë moment historik dhe ky është realisht moment historikë dhe të gjithë duhet të fokusohemi këtu”, tha ai./abcnews.al


