Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare Juxhina Sotiri deklaroi se roli i Shteteve të Bashkuara mbetet thelbësor për funksionimin e aleancave globale, duke theksuar se NATO nuk do të ekzistonte pa ndikimin e drejtpërdrejtë të SHBA-së. E ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, ajo u shpreh se pritet një qasje më e ashpër dhe “hakmarrëse” e SHBA-së, si në aspektin e mbrojtjes, ashtu edhe në drejtim të furnizimit me armë për Ukrainën.
Sotiri komentoi gjithashtu deklaratat e fundit të Hegseth, duke i cilësuar ato më shumë si sinjale për përshkallëzim të situatës sesa për ulje tensionesh, duke nënvizuar se retorika e përdorur anon më tepër nga përforcimi i konfliktit sesa nga diplomacia.
Në analizën e saj, ajo theksoi se Europa po përballet me një realitet të ri në raport me NATO-n, ku pritet të mbajë një peshë më të madhe financiare dhe të luajë një rol më aktiv në çështje strategjike, përfshirë edhe sigurinë e Ngushticës së Hormuzit. Sipas saj, kontinenti europian do të detyrohet të përfshihet më drejtpërdrejt në konflikt, sidomos për shkak të ndikimeve ekonomike që lidhen me çmimet e ushqimeve, naftës dhe gazit.
“SHBA është ngjitësi që mban bashkë gjithë aleancën. NATO nuk do të ekzistonte pa vetë SHBA. Do të kemi një marrëdhënie shumë hakmarrëse të SHBA qoftë për mbrojtjen, por edhe për shitjen e armëve ndaj Ukrainës. Deklarimi i fortë Hegseth bëhet fjalë për një eskalim të situatës, se sa për një zbutje. Fjala e tioj shkon më shumë drejt përshkallëzimit më shumë se sa diplomatike.
Ajo që duhet të kuptojmë, është se ajo që Europa ka bërë në vetë ekzistencën e NATO-s është një realitet që i ka ardhur fundi. Europa duhet të mbajë peshën financiare dhe duhet të kontribuojë në hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Europa do të kalibrohet dhe do të bëhet palë e këtij konflikti, për sa kohë do të ndjejë efektet financiare, të ushqimeve, naftës, gazit etj”, tha Sotiri.


