Skënder Hita është drejtori i ri i Policisë së shtetit pas largimit të Prodës. Ky i fundit lejoi dhunën në protestën e opozitë, por selia blu nuk i ka kursyer akuzat për drejtuesin e ri.
Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço tha në Real Story se ndër vite numri i vrasjeve dhe ngjarjeve të rënda është ulur falë punës së policisë. Më tej, ai përmendi kontrollin ndaj celularit të Prodës ku tha se nuk u gjet asnjë paligjshmëri. Më tej, ai shtoi se opozita e sulmon për çështje politike pasi nuk i gjen lidhjet me bandat.
“Ka dy anë medalje shkarkimet: aspekti politik dhe profesional. Numri i vrasjeve dhe veprave penale janë ulur për shkak të menaxhimit, metodikave. Për këtë, përfshirë edhe drejtorët e tjerë, kemi një performancë shumë të mirë.
Nga ana politike janë bërë shumë sulme dhe përfaqësues të SPAK kanë thënë që në celularë nuk janë gjetur gjë. Kjo krijon konsum dhe kthehet në kosto për partinë që drejton vendin. Ka pasur që në fillim të janarit, nga mesi, një diskutim nëse duhet të largohej ose duhet të rrinte akoma. Ka pasur një lloj pyetje për Proden për shkak të sulmeve dhe kostos publike.
Ishte shumë e nxehtë situata dhe shigjetimet që po merrte qeverisja, deri diku të pamerituara, çuan në këtë ndryshim për qetësi, për vendosjen e normave dhe raporteve. Sulmi që iu bë mund t’i bëhet çdo drejtori. Si mund ta njollosësh një polici që ka çerek shekulli në detyrë, ka garuar 3 herë dhe e fitoi tani. Ka qenë zv.drejtor në 6 qarqe në linjën kriminale.
Ligji ynë, si çdo ligj, e parashikon që ka një garë mbi meritën profesionale dhe më pas vendimmarrja është politike dhe e merr përsipër partia që është në qeverisje. Opozitarizmi i sotëm e sulmon për çështje politike sepse nuk i gjejnë lidhje me bandat.” / abcnews.al /


