Në kuadër të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian kapitujt që I dedikohen arsimit dhe kërkimit shkencor sipas ministres së Asimit Mirela Kumbaro janë ndër të parët që do të përmbyllen.
“Dua ta nis nga ky i dyti, pra kapitulli 26 – ku pothuajse kemi përmbushur të gjitha piketat. Është krijuar tashmë me Vendim të Këshillit të Ministrave. Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar. Kemi miratuar në Qeveri ligjin për ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, dhe me miratimin e ligjit edhe në Parlament, plotësojmë 100% piketat përmbyllëse në raport me procesin e integrimit.” tha Kumbaro.
Agjencia Kombetare e Shërbimeve Arsimore, institucioni që do të administrojë testimet, ministrja tha se do të ngrihet me ekspertizë të Universitetit të Kembrixhit. Ndërkohë gradualisht do të rritet buxheti për kërkimin shkencor.
“Paketa e akteve nënligjore është mbyllur, i cili ka kaluar në 0,3% të PBB dhe na kërkohet që në vitin 2030 të shkojë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.”- tha ajo.
Paralelisht po ecet dhe me projektin e përbashkët të qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, hapjen e liceut francez në Korçë.
Pas përgatitjes së kurrikulave në Këshillin Kombëtar të Territorit është miratuar projekti I kampusit.
“Do të ndërtohet brenda territorit ku ndodhet godina historike e Liceut Francez, e cila do të vihet edhe ajo në dispozicion të shkollës ku do t’i shtohen edhe dy ndërtesa të reja”, vijoi Kumbaro.
Drejt fundit sipas ministres së Arsimit është dhe përditësimi I kurrikulave për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta. Një pjesë e lëndëve do të përmiresohen ndërsa tekstet e gjuhës dhe qytetarisë do të jenë krejtësisht të reja. /abcnews.al


