Rritja e çmimit të biletës nga taksistët e linjës Fier–Vlorë ka shkaktuar konfuzion te udhëtarët, duke u reflektuar edhe në uljen e numrit të pasagjerëve në linjat e tjera ndërqytetase.
Nga 300 lekë, bileta për këtë linjë është rritur në 400 lekë, çka ka sjellë reagime dhe pakënaqësi te qytetarët.
Vetë taksistët e justifikojnë këtë rritje me shtrenjtimin e naftës, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Sipas tyre, ndryshe nga linjat e tjera, taksitë që operojnë në aksin Fier–Vlorë janë të detyruara të kthehen bosh në një nga drejtimet, për shkak të marrëveshjeve mes shoqatave të transportit, çka rrit kostot e operimit.
Ndërkohë, edhe linjat e tjera po ndjejnë efektet e situatës. Shoferët e linjës Fier–Tiranë raportojnë se numri i pasagjerëve është përgjysmuar pas rritjes së çmimit të karburantit.
E njëjta situatë paraqitet edhe në transportin me autobusë, ku aktualisht çmimet mbeten të pandryshuara, por operatorët paralajmërojnë se kjo mund të mos zgjasë për shumë kohë.
Deri më tani, rritja e çmimeve është aplikuar nga taksistët e Fierit që operojnë në linjat Fier–Vlorë dhe Fier–Berat, ndërsa pritet të shihet nëse kjo do të shtrihet edhe në linjat e tjera ndërqytetase.


