Që nga zgjedhjet presidenciale të kontestuara në vitin 2019, SHBA-të kishin zhvilluar operacionet diplomatike për Venezuelën nga Kolumbia fqinje.
Ambasada e SHBA-ve në Venezuelë ka rifilluar zyrtarisht operacionet pas mbylljes shtatëvjeçare, kështu njoftoi këtë të hënë Departamenti i Shtetit, pas kapjes së Nicolás Maduro nga trupat amerikane në janar.
“Sot, ne po rifillojmë zyrtarisht operacionet në ambasadën e SHBA-ve në Caracas, duke shënuar një kapitull të ri në praninë tonë diplomatike në Venezuelë,” tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
Funksionimi normal i ambasadës “do të forcojë aftësinë tonë për të bashkëpunuar drejtpërdrejt me qeverinë e përkohshme të Venezuelës, shoqërinë civile dhe sektorin privat,” thuhej më tej.
Shtetet e Bashkuara e mbyllën ambasadën në Caracas në mars të vitit 2019, pak pasi Uashingtoni, së bashku me disa aleatë perëndimorë dhe latinë, e shpallën Maduro-n si udhëheqës të paligjshëm pas zgjedhjeve presidenciale të shënuara nga parregullsi të gjera.
Në fillim të janarit, presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi një bastisje të papritur, ku njësitë elitare Delta Force dhe trupa të tjera e kapën Maduro-n dhe e dërguan në New York për t’u përballur me akuza për trafik droge, të cilat ai i mohon.


