Në studion e mëngjesit në ABC, meteorologia Anira Gjoni nga IGJEUM solli një panoramë të pazakontë të motit në vend, duke ngritur pikëpyetje të forta: a jemi vërtet në pranverë, apo dimri nuk ka ndërmend të largohet ende?
Java e parë e prillit nis me kontraste të forta. Në disa qarqe të vendit, temperaturat kanë zbritur nën zero, duke rikthyer ndjesinë e acartë të dimrit, ndërkohë që kalendari shënon pranverën. Sipas Gjonit, dita e sotme paraqitet relativisht e qetë, pa reshje në të gjithë territorin, por kjo pauzë nuk do të zgjasë shumë.
Nga dita e nesërme e deri të premten, priten reshje shiu që do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit, duke sjellë një tjetër kthesë të motit të paqëndrueshëm. Temperaturat gjatë kësaj jave do të luhaten ndjeshëm: maksimalet do të arrijnë deri në 17°C, ndërsa minimalet do të zbresin deri në 1°C, duke krijuar diferenca të ndjeshme mes mëngjesit dhe mesditës.
Megjithatë, duket se ky “kapriço” i motit është vetëm një fazë kalimtare. Sipas parashikimeve, java e ardhshme do të sjellë një kthesë të shumëpritur drejt pranverës së vërtetë, me temperatura që mund të ngjiten mbi 20°C.


