Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se në javët e fundit puna e saj është përballur me një fushatë baltosëse që, sipas saj, nuk ka të bëjë me kritikën apo llogaridhënien, por me përpjekje të qëllimshme për cenimin e dinjitetit njerëzor dhe dëmtimin e demokracisë.
Ende presidentja në fuqi, Osmani i bëri këto deklarata në konferencën hapëse të Javës së Gruas.
Ajo ka theksuar se kjo qasje përbën rrezik për demokracinë dhe është një mesazh i drejtpërdrejtë për gratë që synojnë të angazhohen në jetën publike.
“Në javët e fundit, puna ime është përballur me një fushatë baltosëse që për qëllim nuk e ka kritikën. Dhe nuk ka të bëjë aspak me llogaridhënien. Është diçka tjetër. Shumë më e ftohtë, e krejtësisht e qëllimshme. Është përpjekja për të zhveshur një njeri nga dinjiteti i tij njerëzor. Për ta kthyer në objekt. Për ta krahasuar me kafshët më të egra.”
Kritikat ndaj Osmanit dhe fyerjet ndaj saj kanë qënë të organizuara përmes komenteve të shumta në rrjete sociale, që sipas mediave në Kosovë janë grupi i “ushtrisë komentuese” të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.
Gjithësesi Osmani bënë deklaroi se nuk do të sillet si viktimë.
“Dhe për këtë arsye duhet të flasim. Jo si viktima. Asnjëherë. Asnjëherë si viktima. Asnjëherë. Por si mbrojtëse të demokracisë. Vetëm si mbrojtëse të demokracisë. Sepse kur propaganda mund ta kthejë këdo në tradhtar brenda natës, kur e vërteta më s’ka aspak rëndësi, kur dinjiteti gjithnjë shndërrohet në dëm kolateral, atëherë e tërë demokracia është në rrezik”
Presidentja ka theksuar se lidershipi i ndjeshëm ndaj gjinisë është domosdoshmëri dhe jo luks, duke kërkuar institucione që nuk heshtin dhe mbajnë përgjegjës ata që, sipas saj, përdorin teknologjinë për propagandë dhe dezinformim.
Vendimi i presidentes mëngjesin e 4 marsit për të shpërndarë parlamentin dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje e ka vendosur Osmanin në një betëjë të hapur përballë Albin Kurtit, dikur bashkëpuntor i saj politik.


