DELVINË- Në Delvinë, muzeu i ndërtuar rishtazi në vitet e fundit i përngjan një udhëtimi në kohë, që shpalos jetesën, vlerat dhe betejat e qytetit të vogël. Disa vite më parë, në godinën e Bashkisë së Delvinës, një hapësirë e saj u dedikua plotësisht për t’u kthyer në një muze të mirëfilltë.
E konceptuar si një odë me katër dhoma dhe e ndarë në dy kate, karakteristikë kjo e shtëpive të dikurshme delvinjote. Mbledhja e materialeve me vlerë mori kohë; historianë të ndryshëm kanë arritur të sigurojnë të gjitha objektet nga shtëpitë e banorëve të qytetit.
Sende apo orendi të tyre, të trashëguara nga të parët e familjeve, i dhuruan për ndërtimin e këtij muzeu.
“Në muzeun tonë kemi përmbledhur disa periudha, para çlirimit, periudhën pas çlirimit dhe pjesa e luftës që është e kompozuar te pjesa e luftëtarëve të qytetit të Delvinës. Këtu jemi në pjesën pas çlirimit, periudha e viteve ’60, ’70. Ndërsa në katin e parë është historiku i luftës me dëshmorë të qytetit të Delvinës. Godina në të cilën gjendemi më bën përshtypje arkitektura, shkallët e brendshme prej druri që ka qenë simbolike e gjithë ndërtimeve të asaj kohe dhe kjo si godinë është shumëvjeçare”, tha Fatos Dauti, historian.
Muzeu nis me dhomën e madhe tipike të viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Perdet, minderet, oxhaku, bucela e ujit, shrambat, tabakaja e bakrit dhe të gjitha orenditë e atëhershme janë sjellë me detaje, duke mos humbur asnjë element të kohës.
“Këtu gjendemi në ambientet e muzeut të Delvinës, në pavionin e dhomës së madhe të ndenjës që i përket viteve 1920, e cila është e ndërtuar me minderet, me oxhak, ku rrinte gjithë familja. Gjithsecilit ishte në pozicionet e tyre, këtu është pjesa e djepit ku rrinte nëna me fëmijën, në mes sofra. Është e realizuar në mënyrë identike sesi ka qenë një odë e asaj kohe, duke përdorur të gjitha pjesët, që nga dritaret e drurit, perdet që i përshtateshin asaj periudhe, minderet, ndenjëset në shesh që janë si në atë periudhë. Këto në atë kohë quheshin mindere dhe atë kohë mbusheshin me kashtë ose xhufkë misri, në dy anët e oxhakut ulej pjesa kryesore e familjes, babai, nëna dhe këtej pjesa tjetër e familjes, pra në atë kohë ka pasur një rregull edhe në mënyrën e të ulurit. Oxhaku përdorej edhe për gatim, përveçse për ngrohje, për gatimin e gjellave të ndryshme për familjen dhe sipër kandilat ndriçues me vaj, që përdoreshin në ato kohë. Sofra me një tepsi të madhe në mes, ku hante e gjithë familja. Perdet tipike të kohës, duke qenë se godina është e vjetër, me shkallët nga brenda në strukturë, e bën edhe më të ndjeshme emocionalisht për vizitorët dhe një kuriozitet të madh. Bucelat, të cilat përdoreshin për të marrë ujë, lidheshin pas shpinës; për ne sot mund të jenë të rënda, por për gratë e asaj kohe jo. Kemi enët 1-litërshe që përdoreshin për ta marrë ujin nga bucela për në ambientet e brendshme të shtëpisë. Shtambat, të cilat edhe këto përdoreshin për ujë e i mbanin në krahë nënat tona. Tabakaja e bakrit që shërbente për qerasje…”, tha ai.
Delvina ka jetuar praninë e disa komuniteteve në të njëjtën kohë, të krishterë, myslimanë e çamë; për rrjedhojë, një harmoni e tillë ka prodhuar edhe larmishmëri etnografike. Në muze qëndrojnë të ekspozuara disa veshje që identifikojnë gruan delvinjote; po ashtu, mjetet e punës për endjen e pëlhurave zinin një vend të rëndësishëm në muze, pasi ajo ishte puna e përditshme e dhjetëra grave dhe vajzave.
“Pasi mbaruam dhomën e ndenjës, këtu jemi në dhomën e etnografisë së qytetit të Delvinës; nënat tona kanë përdorur këtë makineri për të përgatitur qilimat, sixhadet dhe veshjet për barinj. Kemi vegla të tjera, si kjo që bëhej tirja e leshit, pastaj kalohej te furka që bëhej fill dhe më pas bëheshin prodhimet në makineri. Kjo fanellë është prodhuar kështu dhe përdoret edhe sot e kësaj dite. Pjesë tjetër e kësaj dhome janë edhe veshjet popullore. Pjesë e qytetit kanë qenë disa komunitete, myslimane, të krishtere dhe çame dhe këto veshje karakterizojnë konkretisht këto komunitete. Kjo makinë qepëse është shumë e vjetër dhe këtu qepej me dorë”, u shpreh ai.
“Këto i keni sajuar të ngjashme në ditët e sotme apo janë realisht aq të vjetra?
Kërraba është shumë e vjetër, kjo është një veshje për barinjtë e zonës tonë, e punuar dhe kjo në makineri dhe nuk fut ujë… dhe qilimat janë punuar në këtë makineri. Ajo ka qenë jetike për kohën, por edhe sot përdoret. Kjo baulë përdorej për pajën e nuses. Shumë e pasur në materiale, ku i keni marrë… I kemi marrë në komunitet, ata kishin dëshirën që gjërat e vjetra t’i ekspozonim dhe të tregonim trashëgiminë dhe kulturën tonë të qytetit të Delvinës”, theksoi historiani.
Mobilizimit në Luftën Çlirimtare iu bashkua sigurisht edhe Delvina. Një pjesë e muzeut i është dedikuar atyre që dhanë jetën për lirinë, nga imazhet e të rënëve deri te armët e luftës; këndi tregon rrugën e qytetit drejt çlirimit dhe jetën përgjatë sistemit komunist. Orenditë dhe objektet e asaj kohe kanë krijuar shtëpinë karakteristike komuniste të të gjithë shqiptarëve.
“Kemi përfshirë dy luftërat në vitet 1941, 42, 43, 44. Këtu kemi batalionet dhe çetat me delvinjotë, dëshmorë delvinjotë të cilëve u kemi bërë edhe biografitë përkatëse. Kemi arritur të gjejmë këto pushkë dhe mjete lufte që janë autentike dhe me emrat e partizanëve përkatës. Një helmetë gjermane…
Në këndin e periudhës pas çlirimit kemi një kënd dedikuar kohës së komunizmit… Ndërmarrja e marangozëve, siç ka qenë këtu, ka bërë këtë; është bufeja që i përket asaj periudhe, me pjesën e qelqurinave, televizori Iliria i kohës, divanet tipike të kohës, ky është më i ri, ai pak më i vjetër, tavolinat, karriget prej druri, dollapi i rrobave që rrinte në dhomën e gjumit, valixhja që përdorej në atë kohë, që edhe fiks ashtu qëndronte, valixhja mbi dollap, një portmanto për të varur xhaketa, radio Mimoza, telefoni i vjetër…”, pohoi ai.
Nuk mund t’i mungonte muzeut një hapësirë e dedikuar Kryeministrit të Parë të Shqipërisë, Sulejman Delvina.
“Një kënd për Sulejman Delvina, kryeministri i parë shqiptar dalë nga Kongresi i Lushnjës në 1920; janë dokumente origjinale të marra nga arkiva e shtetit, letërkëmbime me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, dokumenti për pagën e tij”, u shpreh ai.
Muzeu i Delvinës është mishërimi i dëshirës kolektive për të ruajtur me fanatizëm kulturën, etnografinë dhe vlerat e një qyteti të vogël, por me kontribut të madh në etapa të ndryshme të historisë shqiptare./abcnews.al


