Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partia Socialiste e Shqipërisë njoftoi një rritje të fuqisë së prefektëve, duke i kthyer ata në 12 zëvendësministra të brendshëm në territor. Sipas Ramës, kjo masë synon të forcojë mbështetjen e qeverisë në nivel lokal dhe të sigurojë që prefektët të mos jenë thjesht “firmëtarë”, por aktorë aktivë në zbatimin e politikave.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se trendi i kthimeve në qytete si Berat po rritet dhe se Shqipëria po bëhet një vend më i favorshëm për ata që angazhohen seriozisht, ndërkohë që qeveria do të shtojë kapacitetet e emergjencave civile dhe flotën e zjarrfikësve, duke prodhuar edhe makinat e inspektimeve në vend.
“Trendi i kthimeve ka nisur. Gjërat kanë nisur aq mirë, Berati është qyteti ku ka më shumë kthime se sa largime, jo sipas meje, por sipas disa studimeve të bashkuara. Në të gjitha pjesët territorit trendët kanë nisur të ndryshojnë, sepse është e qartë, që Shqipëria është shumë e mirë, për ata që vënë më punë mendjen e tyre, dhe nuk është e mirë për ata që duan të rrinë në organizatën e molotovarëve. Perfektët do të marrin një fuqi tjetër, nuk do të rrinë ata që do rrinë vetëm të firmosin. Perfektët do jenë 12 zëvendësministra në territor, do jenë një ndryshim dhe mbështetje e madhe për qeverinë në territor. Po ashtu do të ndryshojmë emergjencat civile, do të shtojmë flotën e zjarrfikësve në Shqipëri. Jo vetëm zjarrfikëset, por të gjitha makinat e inspektimeve ne do i prodhojmë në Shqipëri, jo vetëm në vitin 2035, por kemi nisur porositjen që të tani”, tha Rama.


