Një tjetër moment i së vërtetetës.
Silvinjo ka provuar dy kulme si trajner i Shqipërisë, kualifikimin për në plej ofin e Kupës së Botës në Andorrë nëntorin e kaluar, si dhe dy vjet më parë, kalimin e madh në finalet e Europianit, që u arrit në Moldavi.
Shpreson që edhe basti I tretë të fitohet, ndërsa në 26 mars luhet sfida e parë e plej ofit në fushën e Polonisë.
Silvinjo pyetet për mungesat dhe dy debutuesit, dhe e nis me disa fjalë në shqip.
“Si trajner nuk dua të qaj. Manaj është një lojtar emblematik për ne, ka qenë shumë i mirë. Duhet të përshtatemi me situatën. Ky është një avantazh i madh për ne, sepse kemi lojtarë të tjerë. Manaj është i dëmtuar. Daku nuk ka asnjë minutë në 2026. Duhet të përshtatemi. Kemi thirrur lojtarë të tjerë dhe jemi të kënaqur me ta. Pllana dhe Pilo janë lojtarë që i kemi ndjekur. Jemi pak prapa, sepse kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme, dhe ata nuk kanë qenë më parë në kombëtare. Kemi disa probleme, por kemi 26 lojtarë. Do t’i shikojmë këto ditë në stërvitje dhe në fushë do të dalin ata që janë në formë më të mirë”, tha ai
Në kombëtare u thirr Mehmeti, po ashtu Muçi.
“Kam shumë besim tek 26 lojtarët që kemi. Besoj plotësisht tek ata. Kam një muaj që mendoj për ta. Siç e thashë duhet të përshtatemi. Muçi, për mendimin tim, është një sulmues, përveç se lojtar krahu apo një mesfushor pas sulmit. Ai është lojtar i fortë. Ai kërkon portën dhe shënon. Ka aftësi të mëdha sulmuese, më pak mbrojtëse. Sa I takon Mehmetin, ne e kemi pasur para 3 viteve. Është rritur shumë fizikisht dhe taktikisht. Është shumë i fortë, ai është lojtar krahu klasik, edhe pse tek Ipsuiçi luan edhe pas sulmuesve. Ai Hoxha, Asani janë lojtarë krahu. Të dy, Muçi apo Mehmeti, janë të rëndësishëm për ne, sidomos kur kemi probleme në sulm. Le të mos flasim nëse do të jenë titullarë apo zëvendësues. Sa I takon atyre që kanë shënuar më shumë në kombëtare me mua, është Bajrami me 7 gola, dhe pse nuk është sulmues. Pastaj Asani me 6, dhe pastaj Asllani me 4 gola. Pra, jo domosdoshmërisht duhet vetëm një numër 9 si Manaj. Gjithsesi, duhet të mendojmë për të gjithë, kemi edhe Muçin dhe Mehmetin”.
Silvinjo thotë se çdo lojtar është thirrur sepse është I nevojshëm, ndërsa fton lojtarët të japin 100 për qind ndaj Polonisë.
“Kjo nuk është ndeshje për eksperimente. Pilo ka përvojë dhe ka kohë që luan. Sot ne kishim nevojë për të. Pllana është thirrur edhe ai. Na mungon një mbrojtës qendre. Kemi edhe Klinsman Cakën. Pllana luan në Poloni dhe e njeh mirë futbollin polak. Ne do të shohim se çfarë niveli ka ai. Ky nuk është një eksperiment, por është nevojë. Mund të thërrisja 23, kam thirrur 26. Jo vetëm në mbrojtje, por kudo kemi shumë lojtarë që kanë luajtur pak minuta. Një situatë e veçantë është ajo e Asanit, sepse kampionati në Iran është ndërprerë. Kam folur me të. Siç e thashë, nuk do të bëjmë eksperimente. Nuk duhet të harrojmë se ne kemi ardhur deri këtu pasi kemi bërë një rrugë të gjatë, dhe ifalenderoj që të gjithë lojtarët që kanë bërë sakrifica të mëdha për të ardhur këtu. Në këtë plej of duhet të jemi në 100 për qind për të bërë më të mirën për kombëtaren dhe vendin tonë”.


