Në fund të vitit 2025 mediat britanike “Daily Mail” dhe “Times” ishin ndër të parat që shkruan se Maqedonia e Veriut po zhvillon bisedime me Britaninë e Madhe për hartimin e një plani për ndërtimin e kampeve për emigrantët e refuzuar.
Sipas raportimeve Britania e Madhe do t’i paguajë Maqedonisë së Veriut për çdo emigrant që do ta pranojë, dhe gjithashtu do të sigurojë edhe investime në vend dhe ndihmë në luftën kundër ndikimit rus. Por kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i hodhi poshtë të gjitha këto pretendime duke i quajtur spekulime dhe lajme të rreme të opozitës.
“Për sa kohë që unë jam kryeministër, nuk do të ngrihet as edhe një strehim për emigrantë ilegalë dhe nuk do të pranojmë asnjë emigrant”, deklaroi Mickoski.
Aludimet për një plan të tillë u shfaqën pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për partneritet strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe në Samitin në Tiranë, të cilin Mickoski e paraqet si marrëveshje e cila do t’i sjellë vendit investime.
Mungesë guximi apo transparence?
Në vend të një komunikimi të drejtpërdrejtë dhe zyrtar që do ta sqaronte përmbajtjen e marrëveshjes me Britaninë e Madhe, qeveria disa javë i ofroi publikut copëza informacionesh duke lënë hapësirë për interpretime dhe lajme të rreme.
Sipas profesor Florian Bieber, nga Universiteti Karl-Franzens, Graz, Austri, mbajtja e publikut në paqartësi deri në arritjen e një epilogu përfundimtar mund të konsiderohet si opsioni më i leverdishëm për qeverinë, pasi publikimi i parakohshëm i informacionit potencialisht mund ta dëmtojë partinë në pushtet.
“Duke qenë se partia në pushtet përfaqëson një elektorat më konservator dhe nacionalist, kjo mund të dëmtojë vetë bazën e saj zgjedhore. Nuk bëhet fjalë vetëm për ksenofobi, por edhe për ndjenjën e poshtërimit që vendi të përdoret si qendër për emigrantë nga vendet perëndimore. Në rajon ekziston një shqetësim i kahershëm, që nga mbyllja e kufijve në vitin 2015, se mund të shndërrohet në një “vend-depozitë për emigrantë” – tha Bieber për DW.
Sipas tij pritet që qendra të tilla të mos jenë shumë të pëlqyera nga publiku dhe rrjedhimisht, të ketë kundërshtime. Dhe se një rast i tillë ndodhi me Shqipërinë, ku pavarësisht mospajtimeve plani i qendrave të emigrantëve u paraqit në publik si vepër e kryer.
Situatë e përkryer për të ushqyer frikën
Kaosit informativ i kanë paraprirë shumë media online të cilat e përdorën këtë situatë për të shpërndarë lajme të rreme dhe tituj sencasionalë. “Secili duhet të ketë një armë kundër emigrantëve”, “pse frikoheni, nuk do t’ju përdhunojnë të gjithëve”, “jo, për këtë duhet rezistencë qytetare”, apo “ata që duan të sjellin këtu nuk janë migrantë, por militantë islamikë fanatikë, përdhunues të vajzave të krishtera”.
Këto janë vetëm disa prej mijëra komenteve, që shfaqen nën postimet që përhapin lajme të rreme për kampet e migrantëve.
Mediat dhe nxitja e ksenofobisë
Sipas profesores Olga Koshevaliska, nga Universiteti Goce Delcev në Shtip, roli i medias në formësimin dhe nxitjen e ksenofobisë nuk është për t’u nënvlerësuar. Ajo thekson se lajmet që lidhen me fenomenin e migrimit paraqiten në media në mënyrë sensacionale dhe pa kontekst, duke krijuar përshtypjen se migrimi është një valë e vazhdueshme që mund ta mbushë vendin brënda natës.
“Reagimi i një pjese të qytetarëve ndaj vetë idesë së kampeve, shpesh i shoqëruar me frikë dhe mosbesim, mund të shpjegohet duke e konsideruar panoramën më të gjerë të dinamikës mediatike dhe sociale, ku këto çështje prej kohësh janë paraqitur si „krizë” ose „sulm”. Kur migracioni paraqitet jo si një fenomen i ndërlikuar shoqëror, por përmes titujve sensacionalë – emigrantët do të marrin vendin tonë”, „terroristë mes refugjatëve” – frika bëhet një iluzion kolektiv që ushqehet nga çdo informacion i ri, veçanërisht nga dezinformimi sensacionalist”, thotë Koshovaliska.
Politizimi i çështjes së migrantëve
Surprizues ishte dhe reagimi i social demokratëve të cilët e përdorin këtë temë në maksimum për të sulmuar qeverinë. Lideri i saj, Venko Filipçe, paralajmëroi protesta dhe një rezolutë.
Politizimin e çështjes së emigrantëve Koshovalinska e quan mjet për mobilizimin e mbështetësve duke rikujtuar shembullin e vitit 2017, kur pas akuzave të opozitës së atëhershme për ndërtimin e kampeve disa komuna paralelisht me zgjedhjet lokale zhvilluan edhe një referendum.
“Kjo tregoi sa lehtë mund të keqpërdoret kriza emigratore për përfitime politike, duke shfrytëzuar ndjenjën e frikës tek qytetarët dhe duke e paraqitur si „luftë për mbijetesë” të popullsisë lokale. Pikërisht në këto situata, aktorët politikë përdorin migracionin për të lëshuar akuza ndaj kundërshtarëve politikë dhe për t’i transferuar problemet sociale dhe ekonomike mbi ata që zakonisht janë më të cenueshëm – emigrantët, refugjatët dhe personat që kërkojnë azil.” shton ajo.
Në dhjetor 2025 partitë në pushtet paraqitën dhe miratuan një rezolutë që synon të ndalojë spekulimet e opozitës dhe të konfirmojë politikat e shtetit kundër migrimit të paligjshëm.
Ballkani: hapësirë për eksperimente politike me migrantët
Në raportimet e mediave britanike, ndër të tjera, thuhet se plani është ende në një fazë shumë të hershme dhe parasheh përfshirjen e disa vendeve të Ballkanit, si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina.
Ndryshe nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte më i drejtpërdrejtë. Ai shprehu menjëherë gatishmëri për ta mbështetur planin e Britanisë së Madhe, në këmbim të mbështetjes në fushën e sigurisë.
Kosova ka treguar edhe më herët gatishmëri për marrëveshje të ngjashme, nga strehimi i rreth 1.900 afganëve pas vitit 2021, deri te marrëveshja me Danimarkën për transferimin e të burgosurve në Gjilan.
Megjithatë oferta për ndërtimin e qendrave për azilkërkues të refuzuar nga Britania e Madhe paraqet një hap të ri politik, i cili sipas kritikëve mund t’i tejkalojë kapacitetet reale të vendit.
Profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, është i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij: “Nuk e besoj që Kosova ka kapacitete të tilla. Deklarata e kryeministrit ishte vetëm një gjest servilizmi ndaj një aleati strategjik për të mbajtur mirë marrëdhëniet.” Sipas tij, Kosova duhet të tregojë besnikëri ndaj aleatëve vetëm në çështje, ku ka kapacitete për t’i përmbushur detyrimet.
Justifikim për vendet e BE-së
Përfshirja e vendeve të Ballkanit në plane të tilla nuk konsiderohet rastësi. Profesor Florian Bieber thekson se pozita e këtyre shteteve brenda sistemit juridik evropian krijon një justifikim më të pranueshëm politikisht për transferimin e migrantëve, në krahasim me dërgimin e tyre në vende autokratike me reputacion të dobët në fushën e të drejtave të njeriut.
“Së pari, sa më e madhe të jetë distanca, aq më e vështirë bëhet për migrantët të rikthehen sërish drejt Mbretërisë së Bashkuar. Së dyti, dyshoj që shumë shtete të BE-së do të ishin të gatshme të merrnin pjesë në një skemë të tillë. Si rezultat, një marrëveshje e tillë duket se shfrytëzon pozitën e dobët ekonomike të vendeve të rajonit për ta promovuar këtë model.” thotë Bieber. Ndër vendet të cilat e kanë refuzuar menjëherë këtë plan-propozim janë Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina./DW/


