Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Mbrojtja e shqipes, kauza e studentëve/ Shkup, protestat e të rinjve shqiptarë për çështjen kombëtare

schedule15:37 - 18 Prill, 2026

schedule 15:37 - 18 Prill, 2026

Studenti shqiptar Mevlan Ademi është një nga organizatorët dhe udhëheqësit e lëvizjes studentore në Maqedoninë e Veriut për mbrojtjen e gjuhës shqipe,  një kauzë që në pak ditë e ktheu në një nga zërat më të fuqishëm të rinisë shqiptare.

Për 23-vjeçarin nga Dibra e Madhe, kjo nuk është thjesht një protestë, por një bindje e thellë që e mban të palëkundur.

“Më gëzon shumë fakti, kur je aty beson tek vetja. Nuk ndryshoi qëndrimi, pata një kokëfortësi për kauzën që ngritëm, kjo tregon se kur duam të bëjmë diçka e arrijmë”, thotë studenti shqiptar, Mevlan Ademi.



Sipas Ademit, e gjitha nisi si një kërkesë konkrete për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Por me kalimin e kohës, kjo kërkesë mori një dimension më të gjerë, duke u kthyer në një lëvizje për zbatimin real të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.

Sipas tij, kjo nuk është vetëm një çështje studentore, por një amanet i trashëguar ndër breza.

“Nuk ka pasur një moment kyç, për të dal në protestë si vendim, por pamë përkrahje nga një masë e madhe. Dëshmuam e treguam që kur bie puna te amaneti i të parëve, mbushen rrugët e Shkupit me të rinj e profesionist, kjo ishte mesazhi kryesor”, shprehet ai.

Megjithëse kjo çështje është ngritur prej dy vitesh nga studentët shqiptarë, sipas Ademit, institucionet kanë dështuar të japin një zgjidhje konkrete.

“Patëm takime me ambasadat e huaja, premtimet 2 vjeçare nuk na zgjidhën punë, rrugëdalja ishte veç protesta. Kushtetuta e garanton gjuhën shqipe, të mësosh nga klasa e parë deri në doktor shkencash dhe provimin shtetëror në gjuhën maqedonase kjo është absurde, këtë duam të ndërrojmë. Kauza jonë ka nis me nismën për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por tani ka marr një spektër pak më të gjerë që po nxjerr në pah zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet tona dhe qëndrimet albanofobe të funksionarëve tanë që i kemi në Maqedoninë e Veriut. Për këtë protestohet, gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare, këtë qëndrim mbajmë edhe ne”, thotë Mevlan Ademi.

Mbështetja për këtë lëvizje sipas Ademajt ka ardhur jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga një pjesë e shoqërisë maqedonase, ndonëse jo gjithmonë e shprehur hapur.

“Ka pas reagime të shumta nga Shqipëria dhe Kosova, Osmani, Hajradinaj, Hoxha e Spiropali. Bashkëmoshatarët maqedonas nuk kanë kundërshtuar, por besoj kanë frikë të dalin haptazi t’na mbështesin. Kanë qëndruar indiferent”, shprehet ai.

Protestat e nisura më 6 prill në rrugët e Shkupit nuk janë fundi, por fillimi i një qëndrese që synon barazi reale. Për Mevlan Ademin dhe shumë studentë të tjerë, kjo është një betejë për dinjitet, një përpjekje për të mos u ndjerë më qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.

“Ndihesh si qytetarë i klasës së dytë, mjaftueshëm të kuptosh se krahasuar me një koleg maqedonas e kam më të vështirë të punësohem apo të jem si ata. Nuk duhet të ndalemi, por të shkojmë deri në fund. Ne duhet të trajtohemi të barabartë me ata, as më pak e as më shumë”, thotë Ademi.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!