Cristiano Ronaldo nuk e harron kurrë transferimin te Manchester United. Ishte vera e vitit 2003 dhe “Djajtë e Kuq” zhvillonin një miqësore kundër Sportingut të Lisbonës. Një 18-vjeçar i mahniti të gjithë dhe Alex Ferguson vendosi të mbyllte gjithçka që atë mbrëmje.
34-vjeçari risjell në kujtesë këtë moment që ndryshoi karrierën e tij në një prononcim për DAZN. CR7 tregon se cili person lajmëroi menjëherë, teksa flet edhe për ndryshimet midis kohës së atëhershme, kur ishte ende adoleshent, dhe tani që është familjar dhe drejt fundit të karrierës.
“Më kujtohet se zhvillova një ndeshje të madhe. Isha shumë i emocionuar, sepse luaja kundër një prej klubeve më të rëndësishëm në botë. Përpara ndeshjes po bëja shaka me mikun tim më të mirë, i thosha që ndoshta do të më blejë United.

Pas ndeshjes Ferguson më tha se duhet të shkoja me ta. Isha 18 vjeç dhe ndihesha shumë i lumtur. Ferguson më donte në ekip. Vizitova klubin dhe ai më tha se pas një jave do të transferohesha te United. Lajmërova menjëherë mamanë time, më kujtohet si dje. Ishte një moment shumë i bukur”.
NDRYSHIMI – “Tani është gjithçka ndryshe. Kur fillon të luash futboll, e sheh gjithçka ndryshe dhe je më i shkujdesur. Kam të njëjtin motivim, por i shoh gjërat pak më ndryshe. Prioriteti është fitimi i trofeve dhe të luaj mirë, ndërsa 18 vjeç mendon vetëm për t’u zbavitur. Pas moshës 20-vjeçare fillon e merr përgjegjësi. Ndihem i lumtur dhe i motivuar, dua të luaj futboll edhe disa vite të tjera“, përfundon Cristiano Ronaldo. /abcnews.al

