Me golin e tij në Serbi, i dhuroi Shqipërisë biletën për në fazën e play off, por ëndrra e Rey Manaj për të ndihmuar kombëtaren kuqezi për t’u kualifikuar për herë të parë në finalen e një Botërori është shuar në mënyrën më të keqe të mundshme.
Lëndimi i sulmuesit në ndeshjen e fundit me Sivasspor ka rezultuar më i rëndë nga sa shpresohej. Ai la fushën në minutën e pestë të sfidës, ndërsa testet mjeksore kanë dhënë një diagnozë aspak premtuese. Në një njoftim për mediat, klubi i tij Sivasspor tregon për një shkallë të rëndë dëmtimi.
“Rey Manaj është lënduar në pjesën e pasme të kofshës së majtë. Si rezultat i ekzaminimit me rezonancë është konstatuar një çarje e tendinës brenda muskulit të gradës 3c dhe gjakderdhje në pjesën e pasme të kofshës së majtë”, lexohet në njoftimin e klubit turk, sipas të cilit futnbollisti do të nisë menjëherë periudhën e riaftësimit.
Nuk përcaktohet një kohë e saktë se kur Manaj mund të kthehet në fushën e lojës, por e sigurtë është mungesa e tij në kombëtaren e Shqipërisë për sfidën e play off kundër Polonisë.
Jo vetëm kaq, pasi ky lloj dëmtimi kërkon një kohë realizitivisht të gjatë rikuperimi dhe nuk përjashtohet mundësia që Rey Manaj të ketë mbyllur përpara kohe të gjithë sezonin./abcnews.al


