Google ka prezantuar një përditësim të madh për aplikacionin Google Maps, duke integruar teknologjinë e inteligjencës artificiale Gemini për ta bërë navigimin dhe kërkimin e vendeve më inteligjent dhe më interaktiv, sipas AP.
Aplikacioni i hartave, i përdorur nga më shumë se 2 miliardë njerëz në mbarë botën, do të mbështetet gjithnjë e më shumë te IA për t’i ndihmuar përdoruesit të vendosin se ku të shkojnë dhe si të arrijnë atje.
Një nga veçoritë kryesore të reja quhet “Ask Maps”, e cila funksionon si një asistent bisedor brenda aplikacionit.
Përdoruesit mund të bëjnë pyetje në mënyrë natyrale, për shembull të kërkojnë kafene më pak të mbushura, pika për karikimin e pajisjeve ose një itinerar të detajuar për një udhëtim rrugor me disa ndalesa.
Rekomandimet e këtij sistemi bazohen në një bazë të dhënash me mbi 300 milionë vende dhe qindra miliona komente përdoruesish.
Google ka prezantuar gjithashtu një funksion të ri të quajtur “Immersive Navigation”, i cili përdor grafikë tredimensionale për të paraqitur rrugët dhe orientimin gjatë udhëtimit. Ky sistem mund të tregojë ndërtesa, terrenin dhe elemente të tjera të mjedisit përreth, duke e bërë më të lehtë orientimin e drejtuesve të automjeteve gjatë lëvizjes.
Përditësimi i ri fillimisht do të jetë i disponueshëm në aplikacionin mobil të Google Maps në Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Indi, me plane për t’u zgjeruar më vonë edhe në vende të tjera dhe në kompjuterë.
Google thotë se ka vendosur masa sigurie për të shmangur gabimet e mundshme të IA-së, si dërgimi i përdoruesve në destinacione të pasakta.


