Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Beogradi bëhet kështu vendi i parë pas Pakistanit që ka siguruar nga Kina raketa CM-400 me fuqi të madhe shkatërruese.
Raketat kineze lëshohen nga avionë luftarakë, peshojnë deri në 900 kg dhe kanë një rreze veprimi 100-240 km.
Në fazën përfundimtare të fluturimit drejt objektivit, ato arrijnë një shpejtësi që është rreth pesë herë më e madhe se shpejtësia e zërit, çka e bënë të vështirë për tu rrëzuar nga sistemet antiraketore.
Ajo përdoret kryesisht për të goditur anije luftarake ose objektiva të rëndësishëm tokësorë nga distanca të mëdha.
Kroacia ka qenë e para që ka reaguar.
Zagrebi ka kërkuar që NATO të mbaj një qëndrim për këtë.
Vetë Vuçiç tha se Serbia nuk ka ndërmend të sulmojë askënd, por pohoi se ushtria ka tashmë “një numër të konsiderueshëm raketash” dhe “do të ketë edhe më shumë”.
Sipas regjistrave të armëve, Serbia është i vetmi vend në Evropë që i zotëron këto raketa, ndërsa është i rrethuar nga shtete anëtare të NATO-s.
Ditë më parë, Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen e renditi Serbinë vendin më të armatosur në rajon dhe Kinën furnizuesin e saj kryesor.


