Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se projekti për portin e ri tregtar në Porto Romano ka hasur një pengesë të papritur, pasi kompania që kishte kaluar të gjitha fazat e procedurës është tërhequr në momentin e fundit.
Në një konferencë për mediat, Rama shpjegoi se vendimi i kompanisë lidhet me situatën e krizës dhe me kushtet financiare të ofertës, të cilat ishin të lidhura me tavanin e studimit dhe kërkesave të vendosura nga procedura e hapur e qeverisë shqiptare.
Sipas kryeministrit, nuk ka të dhëna që kompania të jetë tërhequr si pasojë e presionit nga SHBA apo Bashkimi Europian, megjithatë ai theksoi se procesi është zhvilluar nën një presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë që, sipas tij, nuk janë të interesuar për realizimin e projektit.
Rama shtoi se porti i ri në Porto Romano konsiderohet një nyje e rëndësishme strategjike dhe logjistike për Korridorin VIII, duke argumentuar se porti aktual i Durrësit nuk ka kapacitetet e nevojshme për të përmbushur këtë rol.
“Për sa i përket projektit të Porto Romanos për fat të keq ka ndodhur një koincidence e pashmangshme, që në momentin e fundit kompania që ka kaluar të gjitha fazat është tërhequr, duke iu referuar situatës së krizës dhe natyrisht duke qenë se oferta financiare do të ishte e lidhur me tavanin e studimin që është bërë dhe me tavanin e vendosur nga kërkesa nga proceduar e hapur nga qeveria shqiptare. Nuk kemi të dhëna që kompania të ketë presion, por i gjithë procesi është zhvilluar në një presion, por jo nga SHBA dhe as nga BE.
Por ka pasur një presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë të pa interesuar që ai port të jetë një histori suksesi. Kini parasysh që nga A-ja, që disa thonë që se për çfarë duhet një port i ri dhe e lidhnin, idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt e vërteta është që përtej injorancës, që në krye të herës ka pasur forca të interesuara që të mos ecte përpara projekti i portit të ri.
Për një arsye, porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike dhe logjistike e Korridorit VIII, edhe sikur ta marrësh e ta zbukurosh është i papërshtatshëm për të qenë nyje logjistike. Një nyje portuale në mes të qytetit, nuk ekziston. Kapacitete janë krejt të papërshtatshme. Porti i ri, është një port që e çon Shqipërinë në një nivel krejt tjetër, sepse është një nyje e lidhur me një port tjetër strategjik që porti i thatë i Prishtinës dhe porti i thatë i Shkupit”, tha Rama./abcnews.al


