Dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur pasi raketa goditën një fshat në veri të Izraelit në orët e para të mëngjesit të së premtes, njoftuan shërbimet izraelite të emergjencës.
Shërbimi i ambulancës Magen David Adom (MDA) bëri të ditur se ekipet e tij mjekësore trajtuan 58 persona dhe i transportuan ata në spitalet lokale pas goditjes në fshatin Zarzir, pranë Nazaretit.
Sipas mediave izraelite, një grua u plagos nga copëza predhash dhe ndodhet në gjendje të mesme shëndetësore. Ndërkohë, MDA njoftoi se 57 persona të tjerë kanë pësuar lëndime shumë të lehta, kryesisht nga copëza xhami.
Ushtria izraelite bëri të ditur se në vendngjarje janë dërguar pjesëtarë të Komandës së Frontit të Brendshëm.
“Forcat po kryejnë një vlerësim të situatës në vendngjarje në bashkëpunim me autoritetet e emergjencës dhe të shpëtimit, me qëllim pastrimin dhe sigurimin e zonës”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë.
Sipas ushtrisë, rrethanat e incidentit janë ende duke u shqyrtuar.


