Eleni Zarulia, ish deputetja e Agimit të Artë dhe bashkëshortja e një prej themeluesve dhe liderit politik të saj Nikos Mihaloliakos, është vetëdorëzuar në Stacionin e Policisë së Pefkiu, në rajonin e Athinës.
Politikania greke është dënuar nga Apeli i Athinës në fillim të marsit me pesë vite burg. Ajo akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Edhe pse bëri kërkesë për uljen e dënimit, Apeli e rrëzoi atë, duke lënë në fuqi vendimin e marrë më herët.
Në 2020, Agimi i Artë u shpall organizatë kriminale nga vetë drejtësia greke, duke marrë të pandehur gjithësej 58 anëtarë dhe mbështetës të partisë.
Në fillim të marsit këtë vit, Gjykata e Apelit në Greqi ka lënë në fuqi dënimet ndaj drejtuesve dhe anëtarëve kryesorë të organizatës së ekstremit të djathtë “Agimi I Artë” dhe konfirmoi gjithashtu përcaktimin e saj si një ‘organizatë kriminale’, duke rikonfirmuar edhe dënimin për ish deputeten.
Hetimi ndaj “Agimit të Artë” nisi pas vrasjes në vitin 2013 të reperit grek Pavos Fyssas dhe sulmit ndaj një peshkatari egjiptian në vitin 2012.
Agimi i Artë u themelua në vitin 1980 si një organizatë neo-naziste dhe u bë forca e tretë në Greqi gjatë krizës financiare.


