Në zemër të Shqipërisë rrjedh lumi i fundit i egër i Evropës, Vjosa. Për të ruajtur këtë thesar natyror dhe biodiversitetin unik të vendit, Bashkimi Evropian po ndërhyn me projekte konkrete në vendin tonë.
Përmes projekteve “EU4Rivers” dhe “EU4Nature” BE po sjell rivitalizim të lumenjve, menaxhim të burimeve natyrore të zonave të mbrojtura dhe përfshirjen e komuniteteve lokale. Ripyllëzimi i Lumit Vjosa në Rromës, Mallakastër, përfshin mbjelljen e fidanëve dhe shërbime mirëmbajtjeje, me një kosto prej 6.5 milion lekësh. Shuma përfshin të gjitha fazat e projektit, mbjelljen e fidanëve dhe dy vite shërbime mirëmbajtjeje dhe zëvendësimesh.
Lumi i Vjosës përballet edhe me faktor kërcënues.
Banorët e zonës e vlerësojnë këtë ndërhyrje dhe e shohin si një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm.
Ndërsa, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Silvio Gonzato, thotë se këto projekte që lidhen me lumenjtë dhe natyrën ndihmojnë Shqipërinë të bëhet pjesë e familjes së madhe Europiane.
“Projekti “EU4Nature” mund të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit të Shqipërisë. Megjithatë, edhe autoritetet shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre për të përballuar presionin në rritje mbi zonat e mbrojtura. Për më tepër, projekti po e ndihmon vendin të ecë përpara drejt standardeve mjedisore të BE-së. Por mbrojtja e natyrës shkon përtej përafrimit të politikave, kërkon veprime konkrete në terren”, tha Gonzato.
Në dekadën e fundit, BE ka investuar më shumë se 280 milion euro në sektorët e mjedisit, ujin, dhe klimës në vendin tonë.


