Seria e madhe nuk ka ndërmend të përfundojë. Ernest Muçi duket se e ka arritur atë moment të karrierës kur mund të quhet një profesionist i madh, dhe e zbukuroi sezonin e tij edhe me dy asiste.
Këtë herë në Kupën e Turqisë, duke ndihmuar fort ekipin e tij, Trabzonspor, që të kualifikohej për në çerekfinale, me fitoren 4-2 në stadiumin e Bashaksehirit.
Siç mund ta themi, shqiptari u kthye në “vendin e krimit”, aty ku nisi mrekullia e tij në 24 nëntor të vitit të kaluar, me dy golat e parë të edicionit, ndër të cilët ishte I jashtëzakonshëm ai I fitores në minutën e 10-të shtesë.
Këtë herë rrjetë nuk pati, por asiste dhe shumë më tepër. Muçi krijoi golin e parë nga goditja e këndit, shënuar nga Felipe Augusto në 6’. Në 69’, nuk pati ndonjë meritë shumë të madhe për golin e shënuar në mënyrë të mrekullueshme nga Mustafa, por për statistikat ishte asist.
Më pas, kompletoi veprën e tij të madhe me pasimin e 78’, që detyroi Bashaksehirin të mbetej me 10 futbollistë. Një vizion loje vërtet i niveleve të larta. Këtu kontributi i Muçit përfundoi, të paktën për atë që dukej në kamera, ndërsa Trabzonspori ia doli me dy gola të shënuar nga Onuaçu dhe Tufan, e pret rivalin në çerekfinalet e Kupës së Turqisë. Shqiptari padyshim që e do një trofe.


