Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i është përgjigjur kërcënimeve të Donald Trump për të ndërprerë tregtinë midis dy vendeve për shkak të kundërshtimit të Madridit ndaj bombardimit të Iranit.
Në një reagim për mediat Sánchez thotë se qëndrimi i qeverisë mund të përmblidhet me fjalët “jo luftës”.
Ai bën thirrje që “gabimet e së kaluarës” të mos përsëriten, duke iu referuar pushtimit të Irakut në vitin 2003, i cili sipas tij nuk i kishte arritur qëllimet e tij, duke krijuar pasiguri dhe duke e përkeqësuar jetën për shumë njerëz.
Sánchez nënvizoi se sulmet ndaj Iranit mund të kenë një ndikim të ngjashëm ekonomik për miliona njerëz të zakonshëm dhe qeveria po shqyrton masa për ta kundërshtuar këtë.
Më herët Trump u zotua të ndërpresë të gjitha lidhjet me Spanjën dhe e përshkroi vendin si “të tmerrshëm” pasi Sánchez refuzoi të lejonte SHBA-në të përdorte bazat e saj ushtarake për të sulmuar Iranin.


