Ndaluam Iranin dhe regjimin e tyre të zhvillonin armë që mund të përhapnin terrorizmin në mbarë botën. Ky ishte mesazhi që dha presidenti amerikan Donald Trump mbrëmjen e kësaj të hëne nga Shtëpia e Bardhë, ndërsa shtoi se Teherani po bëhej gati të prodhonte raketa që së shpejti mund të godisnin Shtetet e Bashkuara. Pasi tha për CNN se vala më e madhe e sulmeve mbi Iranin nuk kishte ndodhur ende, duke paralajmëruar kështu përshkallëzim të konfliktit, Trump u shpreh se SHBA janë të përgatitura ushtarakisht për t’u përballur me këtë luftë edhe për më shumë se 4 apo 5 javë, që ishte afati i dhënë më parë prej tij.
“Ne kemi ushtrinë më të fortë në botë dhe do ta fitojmë lehtësisht këtë luftë. Ne kemi parashikuar se do të jetë një konflikt që do të zgjasë 4 apo 5 javë, por kemi padyshim aftësinë për të shkuar edhe shumë më gjatë. Njerëzit thonë presidenti amerikan mërzitet, ai i do gjërat shpejt, por më besoni unë nuk mërzitem, kam durim. Regjimi i tyre tashmë kishte raketa të afta për të goditur Evropën dhe bazat tona në Perëndim dhe së shpejti ata do të kishin raketa për të goditur Shtetet e Bashkuara. Qëllimi i programit të raketave të tyre balistike ishte që ta bënte të vështirë për këdo në botë që të ndalonte Iranin të prodhonte armë bërthamore, ashtu siç ne e ndalëm”, tha Trump.
Lufta në Lindjen e Mesme u zgjerua edhe më shumë këtë të hënë, me Iranin që ndërmori një sërë sulmesh hakmarrëse ndaj vendeve të rajonit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli vijuan të bombardonin Teheranin.
Sipas Kryqit të Kuq iranian, deri tani janë shënuar të paktën 555 viktima nga sulmet izraelite dhe amerikane në vend. Izraeli nisi sulme të reja në Teheran pasditen e së hënës dhe tha se ka në shënjestër regjimin terrorist të Iranit. Mediat iraniane raportuan këtë të hënë se si pasojë e sulmit izraelito-amerikan mbi rezidencën e Khameneit në fundjavë, ka ndërruar jetë edhe bashkëshortja e liderit suprem, e cila kishte qenë në koma përgjatë orëve të fundit si pasojë e plagëve të marra. Teherani e ka bërë të qartë se nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve, pasi zyrtarët amerikanë thanë se liderët e vendit kishin kërkuar të flisnin me palën nga Shtetet e Bashkuara.
Në përshkallëzimin e konfliktit këtë të hënë u përfshi edhe Hezbollah, grupi militant libanez i mbështetur nga regjimi i Teheranit. Hezbollah dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme të vazhdueshme, teksa gati 40 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në Liban.
Ofensiva mund të vazhdojë për ditë të tëra në Liban dhe objektiv i sulmeve izraelite është kreu i grupit militant.
Në mes të kësaj situate, qeveria e Libanit urdhëroi Hezbollahun të ulë armët, duke i konsideruar veprimet e grupit aktivitete të paligjshme.
Ndërkohë në Kuvajt u rrëzuan tre avionë ushtarakë amerikanë, por fatmirësisht të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë mbijetuar. Komanda Qendrore amerikane sqaroi se tre avionët F-15 Strike Eagle u qëlluan aksidentalisht nga mbrojtja e Kuvajtit, që gjithashtu e pranoi incidentin.
Sulmet iraniane në rajon vazhdojnë, me shpërthime të raportuara në Bahrein dhe Dubai, dhe tym të parë pranë ambasadës amerikane në Kuvajt.
Edhe rafineria e naftës Ras Tanura e Arabisë Saudite u sulmua të hënën nga dronë, tha Ministria e Mbrojtjes e mbretërisë, ndërsa autoritetet rrëzuan avionin në hyrje. Ras Tanura, pranë Dammam, ka një kapacitet prej mbi gjysmë milioni fuçi naftë bruto në ditë dhe kjo shënon një përshkallëzim të rëndësishëm.
Vendet e Gjirit dhe Shtetet e Bashkuara në një deklaratë të përbashkët dënuan veprimet iraniane dhe theksuan të drejtën e tyre për vetëmbrojtje. Ndërkohë Katari ndërpreu të gjitha lidhjet me Iranin, pasi raketat shënjestruan disa herë Dohan, ku ndodhet baza më e madhe amerikane në rajon. Katari njoftoi pasditen e kësaj të hëne se ka rrëzuar dy avionë luftarakë amerikanë.
Lufta ka ndërprerë udhëtimet ajrore, ka goditur shtetet e Gjirit miqësore me Uashingtonin që zakonisht konsiderohen të sigurta dhe ka penguar rrjedhën e naftës. Vendet që kërkojnë të evakuojnë qytetarët e tyre gjithashtu përballen me sfida të mëdha, me hapësirën ajrore të mbyllur thuajse në të gjithë rajonin.


