Zyrtarë të administratës së Pentagonit u kanë thënë në mbledhje me dyer të mbyllura stafit të Kongresit se nuk ka pasur inteligjencë që tregonte se Irani planifikonte të sulmonte i pari forcat amerikane. Lajmi është bërë i ditur nga dy persona në dijeni të diskutimeve.
Deklaratat janë bërë të dielën, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një nga ofensivat më të mëdha kundër Iranit në dekada. Sipas zyrtarëve, nga sulmet është vrarë Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, janë fundosur anije luftarake iraniane dhe janë goditur mbi 1 mijë objektiva në territorin iranian.
Megjithatë, ajo që është thënë për Kongresin duket se bie ndesh me një nga argumentet kryesore të administratës për nisjen e luftës. Një ditë më parë, zyrtarë të lartë kishin deklaruar për mediat se presidenti Donald Trump kishte vendosur të ndërmerrte sulmet edhe për shkak të treguesve se Irani mund të godiste forcat amerikane në Lindjen e Mesme, ndoshta në mënyrë parandaluese.
Sipas tyre, Trump nuk do të qëndronte pasiv përballë një rreziku të tillë ndaj trupave amerikane në rajon. Mbledhjet e Pentagonit me stafin demokrat dhe republikan të komisioneve të sigurisë kombëtare në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve zgjatën mbi 90 minuta. Gjatë këtyre takimeve, zyrtarët theksuan se raketat balistike iraniane dhe forcat e lidhura me Teheranin në rajon përbënin një kërcënim të menjëhershëm për interesat amerikane, por nuk kishte informacione që tregonin se Irani do të sulmonte i pari.
Trump ka deklaruar se operacioni ushtarak, i cili pritet të zgjasë disa javë, synon të parandalojë Iranin nga sigurimi i një arme bërthamore, të kufizojë programin e tij raketor dhe të eliminojë kërcënimet ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje iranianëve të rrëzojnë qeverinë aktuale.
Demokratët e kanë kritikuar ashpër vendimin, duke e cilësuar si “luftë me zgjedhje” dhe duke vënë në dyshim arsyetimin për ndërprerjen e bisedimeve të paqes, për të cilat ndërmjetësi Omani kishte thënë se ende kishin shpresa.
Presidenti amerikan ka pretenduar, pa paraqitur prova publike, se Irani ishte pranë sigurimit të kapacitetit për të goditur SHBA-të me raketë balistike. Sipas burimeve të njohura me raportet e inteligjencës, ky pretendim nuk mbështetet nga vlerësimet zyrtare dhe mund të jetë i ekzagjeruar.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka konfirmuar viktimat e para nga ky konflikt. U.S. Central Command bëri të ditur se tre ushtarë amerikanë janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur rëndë. Disa të tjerë kanë pësuar lëndime më të lehta nga copëzat dhe tronditje.
Forcat ajrore dhe detare amerikane kanë goditur mbi 1 mijë objektiva iraniane që nga nisja e operacioneve të mëdha luftarake. Mes tyre përfshihen bombarduesit B-2 që kanë hedhur bomba 900 kilogramëshe mbi objekte të fortifikuara nëntokësore të raketave iraniane.
Një sondazh i realizuar në SHBA tregon se 27% e amerikanëve e mbështesin ofensivën, 43% janë kundër, ndërsa 29% shprehen të pasigurt.


