Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka nisur hetim disiplinor, ndaj Irena Gjokës, gjyqtares se Posacme të Shkallës së Parë. Ky hetim sipas ILD, ka nisur për shkak se ekzistojnë dyshimet, se Irena Gjoka, me veprime apo mosveprimet e saj mund të ketë kryer shkelje disiplinore, lidhur me mosdeklarimin prej saj të një dënimi penal të dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005.
Prokuroria e Përgjithshme në janar përfundoi verifikimin për gjyqtaren lidhur me deklarimet e saj në Formularin e Vetëdeklarimit. Procesi nisi pas kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe pretendimeve se Gjoka kishte fshehur probleme nga e kaluara në shtetin grek.
Pasi çështja u dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, me shumicë votash nuk u pranua nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares, Irena Gjoka. Shumica e anëtarëve thanë se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Nga ana e saj Irena Gjoka ka thënë se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit vendimin e Gjykatës së Janinës së korrikut 2005. Ajo shpjegon se nuk ka patur dijeni as për procesin dhe as vendimin gjyqësor, i cili sipas vetë ligjeve greke është arkivuar dhe asnjëherë nuk mori vendim të formës së prerë.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi.


