Serbia ka riaktivizuar pas më shumë se 13 vjetësh dy brigadat që kanë kryer krime në Kosovë dhe Bosnjë, Brigadën 63 të parashutistëve dhe brigadën 72 për operacione speciale. Dy brigadat ishin shkrirë në vitin 2006.
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, konfirmoi riakvitivizimin pas më shumë se 13 vjetësh të dy brigadave famëkeqe, 63 dhe 72 që kishin kryer krime në Kosovë dhe Bosnjë dhe ishin shkrirë në vitin 2006. Vulin tha se këto dy brigada kanë qenë gjithmonë me popullin serb.
“Vetëm një popull mosmirënjohës dhe vetëm një ushtri jo çlirimtare, që komandohet nga të huajt, do të vendoste të humbë emrat Brigadës së lavdishme 72 dhe asaj 63, dhe t’i hedhë në të kaluarën”, ka thënë Vulin.
Hulumtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare Jovan Kollariç, ka thënë se dy brigadat mbahen mend për rrethimin e Sarajevës në dhjetor të vitit 1993 në zonën e Vogoshqës dhe operacionin “Reka” më 27 prill të vitit 1999 në Kosovë.
Kur kjo njësi, bashkë me njësi të tjera të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe MUP-it të Serbisë merrte pjesë në operacionin “Reka”, në të cilin u vranë së paku 350 civilë shqiptarë, nga territori i luginës së Rekës, në perëndim të Gjakovës dhe u dëbua pothuaj e gjithë popullsia shqiptare.
Trupat e 309 viktimave nga ky operacion janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë, në periferi të Beogradit. Ky operacion është dokumentuar në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës, me të cilat janë dënuar zyrtarët ushtarakë e policorë të Serbisë. Brigada 63 Parashutiste dhe Brigada Speciale 72 janë dekoruar me Urdhrin e Heroit të Popullit në tetor të vitit 1999 dhe me Urdhrin e Flamurit Luftarak në qershor të vitit 2000 në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit./abcnews.al