Shqipëria po preferohet nga turistët e huaj edhe në dimër. Vizitat janë kryesisht në qytete historike por edhe në kryeqytet. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në janar vendin tonë e vizituan 552 mijë shtetas të huaj. Kjo shifër rezulton pothuajse e njëjtë me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Interesant është fakti se ka pasur një interes të lartë të vizitorëve nga shtetet e Europës Jugore .Vitet e fundit është kthyer trend ardhja e turistëve Italian ,Spanjollë dhe portugezë. Nuk mbeten pas edhe vizitorët nga Kosova apo Maqedonia të cilët kryesojnë listën.
Sipas të dhënave Evropa Jugore kontribuon me 88 % dhe Evropa Perëndimore me 6 % të hyrjeve të shtetasve.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve është për qëllime personale. Në total hyrjet e të huajve dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë në janar ishte 1.2 milionë ose 3.3 % më shumë se një vit më parë
Shifra mjaft optimiste të turistëve regjistroi edhe aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.Muaji i parë i vitit 2026 u mbyll me mbi 712 mijë pasagjerë dhe 4.238 fluturime të operuara. Sipas TIA-s, këto të dhëna konfirmojnë një fillim të qëndrueshëm të vitit në aspektin e trafikut ajror dhe lidhjeve ndërkombëtare.
Aktualisht nga aeroporti funksionojnë me 71 destinacione në 21 shtete, duke mundësuar ruajtjen e një fluksi të qëndrueshëm udhëtarësh, pavarësisht periudhës jashtë sezonit turistik.


