Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Parlamentin Europian se Shqipëria ndodhet në një moment kyç të procesit të integrimit dhe se synimi ynë është përfundimi i negociatave më 2027-ën dhe një vit më vonë të kërkojmë votën e parlamenteve të vendeve anëtare.
“Ne jemi në proces negociatash. Kemi hapur të gjithë kapitujt brenda 13 muajve dhe jemi shpresëplotë e ambiciozë për t’i përmbyllur negociatat me Bashkimin Europian deri në vitin 2027. Sa i takon Parlamentit kombëtar, duke qenë se kam mundësinë t’ju drejtohem, në vitin 2028 do të kërkojmë votën e parlamenteve kombëtare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Balla nënvizoi progresin e arritur në disa fusha themelore të reformave.
“Kemi bërë progres të prekshëm në forcimin e institucioneve demokratike, konsolidimin e shtetit të së drejtës, avancimin e reformave socio-ekonomike, në rritjen e qëndrueshmërisë së tregut të punës dhe kohezionit social, zbatimin e politikave mjedisore, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”, tha ai.
Kryetari Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste foli në kuadër të Javës Parlamentare Europiane 2026, një forum i përvitshëm i organizuar nga PE në Bruksel, i cili mbledh eurodeputetë dhe deputetë nga parlamentet kombëtare për të diskutuar politikat ekonomike, buxhetore dhe sfidat e konkurrueshmërisë në Bashkimin Europian.


