Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Londra i “pret” rrugën naftës ruse, 175 kompani dhe gjiganti Transneft nën sanksione

schedule16:01 - 24 Shkurt, 2026

schedule 16:01 - 24 Shkurt, 2026

Britania e Madhe ka njoftuar një paketë të re sanksionesh ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” e naftës ruse, duke shtuar përpjekjet për të goditur të ardhurat energjetike që financojnë luftën e Kremlinit në Ukrainë.

Sipas një deklarate të publikuar sot, 24 shkurt, nga Foreign Office, Londra vendosi në shënjestër 175 kompani të lidhura me rrjetin 2Rivers. Njoftimi përkon me përvjetorin e 4-ërt të nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Po ashtu, Britania sanksionoi edhe PJSC Transneft, një nga kompanitë më të mëdha në botë të tubacioneve të naftës, e cila, sipas autoriteteve britanike është përgjegjëse për transportimin e mbi 80% të eksporteve ruse të naftës.



Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se “Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë sot veprime vendimtare për të ndërprerë financimin kritik, furnizimin me pajisje ushtarake dhe rrjedhat e të ardhurave që mbështesin agresionin rus”, duke e cilësuar paketën si “masat më të mëdha që nga muajt e parë të pushtimit”.

Në tetor, Bloomberg raportoi se rrjeti 2Rivers, i lidhur me tregtarët aziatikë Etibar Eyyub dhe Tahir Garayev, ka luajtur një rol kyç në mbajtjen në qarkullim të qindra milionë fuçive naftë bruto ruse, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare të vendosura pas nisjes së luftës.

Rrjeti i kompanive offshore, i njohur më parë si Coral, u zgjerua me shpejtësi përpara se sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar që nga viti 2024 të dëmtonin ndjeshëm aftësinë e tij për të operuar.

Në atë kohë, avokatët e Garayev mohuan çdo lidhje të tij me Rosneft apo me Eyyub, si dhe deklaruan se ai nuk ishte përfshirë në aktivitete të lidhura me naftën që nga fundi i vitit 2022. Përfaqësuesit e kompanive të Eyyub nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Mësohet se sanksionet kanë rritur ndjeshëm koston e çdo transaksioni dhe kanë bërë që bankat, kompanitë e sigurimeve dhe firmat perëndimore të shërbimeve profesionale të shmangin bashkëpunimin me këtë rrjet, për të mos rënë vetë nën hetim nga autoritetet.

Si pasojë, rrjeti është detyruar të paguajë prime më të larta sigurimi, të pranojë rrugë transporti më të gjata dhe më pak transparente, si dhe të ulë çmimin për fuçi, ndërsa ndërmjetësit, rafineritë, operatorët e magazinimit dhe portet ose kanë refuzuar plotësisht bashkëpunimin, ose kanë rritur kostot për t’u mbrojtur nga rreziku ligjor.

Foreign Office theksoi se sanksionet ndërkombëtare i kanë hequr Rusisë rreth 450 miliardë dollarë të ardhura, një shumë që do të mjaftonte për të financuar edhe 2 vite të tjera lufte.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!