Një përplasje e re diplomatike është krijuar mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara. Parisi i ka ndaluar ambasadorit amerikan Charles Kushner që të takohet me anëtarët e qeverisë, pasi ai nuk u paraqit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ku ishte thirrur për komente mbi vrasjen e një aktivisti francez të ekstremit të djathtë javën e kaluar.
Në Francë ky konsiderohet një debat i brendshëm, por pavarësisht kësaj, nuk kanë munguar komentet nga përtej oqeanit. Përfaqësuesi diplomatik i Uashingtonit në Paris është, babai i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner.
Aktivisti francez i ekstremit të djathtë Quentin Deranque u rrah për vdekje në një përleshje me aktivistë të dyshuar të së majtës ekstreme, në një incident që tronditi kombin dhe që është krahasuar me vrasjen e Charlie Kirk vitin e kaluar.
Ambasada amerikane në Francë dhe Byroja Amerikane e kundërterrorizmit thanë se po e monitorojnë rastin, ndërsa paralajmëruan se e majta radikale e dhunshme është në rritje dhe duhet të trajtohet si një kërcënim për sigurinë publike.
Por ky nuk ishte rasti i parë që Charles Kushner nuk paraqitej në Ministrinë e Jashtme pasi ishte thirrur nga ky institucion. Në gusht të vitit 2025, atij iu kërkua të jepte shpjegime, pasi kishte ngritur publikisht shqetësimin e tij për rritjen e akteve antisemite në Francë dhe kishte kritikuar autoritetet franceze se nuk kishin bërë mjaftueshëm kundër tyre.


