Tërmeti i 26 nëntorit ka trembur turistët të cilët kishin bërë prenotime për festat e fundvitit në Shqipëri. Shoqata e Turoperatorëve deklaron se pas tërmetit prenotimet janë anuluar. Ndërkohë shqiptarët kanë ndjekur të njëjtën tendencë duke udhëtuar drejt vendeve të rajonit për festat e fundvitit.
Sipas Shoqatës së turoperatorëve këtë vit pothuajse nuk ka asnjë organizim apo prenotim nga të huajt.
“Shqipëria në tre katër vitet e fundit është preferuar nga të huajt për organizimin e Vitit të Ri, por pas tërmetit si agjensi kemi pasur anullime”, u shpreh përfaqësuesi i Shoqatës së Turoperatorëve Besnik Vathi.
Ai deklaron se shqiptarët kanë preferuar të festojnë jashtë Shqipërisë kryesisht në vendet e rajonit si Mal i Zi apo Maqedoni. Në paketat e përzgjedhura ata kanë përfshirë edhe darkën festive të ndërrimit të viteve.
“Destinacione të tjera si Podgorica, Budva, duke kaluar pastaj në Europë”, u shpreh ai.
Por sa kushton një paketë?
Në bazë të preferencave dhe numrit të personave, çmimet variojnë nga 50 euro deri në 1300 euro në vendet e largëta.
“Çmimet kanë qënë dhe fillojnë më 49 euro për një natë dhe shkojnë deri në 1100 euro apo edhe më shumë”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e tretë shërbimet e udhëtimit u mbyllën me bilanc pozitiv prej 255 milionë eurosh me një rritje prej 29% në terma vjetor./abcnews.al