TIRANË- Nis procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në vend. Vendimi i hyrë në fuqi që prej 1 janarit nuk kishte nisur zbatimin në pritje të udhëzimit i cili është publikuar tashmë në fletoren zyrtare.
Norma e tatimit do te jetë 5% nga 15% që është aktualisht dhe qytetarët do të kenë mundësi ta kryejnë këtë proces deri më 31 dhjetor 2026.
Aplikimi nga individët do të realizohet online në platformën e-Albania ku duhet të jepen të dhënat identifikuese të pasurisë që kërkohet të rivlerësohet.
Po ashtu një tjetër mënyrë për rivlerësimin do të jetë edhe nëpërmjet ekspertëve të certifikuar.
Të drejtën e kryerjes së rivlerësimit e kanë të gjithë ata individë që kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri më 31 dhjetor 2026.
Aplikimet për rivlerësim të pasurive të cilat paraqiten pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës brenda datës 31 dhjetor 2026, por nuk janë përfunduar, procedohen edhe
pas kësaj date, nëse tatimi i rivlerësimit paguhet brenda datës 31 mars 2027.
/abcnews.al


