Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Putini, e ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore dhe e vetmja përgjigje ishte presioni intensiv ushtarak dhe ekonomik për ta detyruar të tërhiqet.
“Unë besoj se Putini e ka filluar tashmë. Pyetja është se sa territor do të jetë në gjendje të kapë dhe si ta ndalojmë atë… Rusia dëshiron t’i imponojë botës një mënyrë të ndryshme jetese dhe të ndryshojë jetën që njerëzit kanë zgjedhur për veten e tyre”, ka thënë Zelensky për BBC. Deklarata e tij vjen në kohën kur presidenti i SHBA-së Donald Trump tha në prag të bisedimeve më të fundit për armëpushim në Gjenevë se “Ukraina është më mirë të ulet në tryezë shpejt”.
Ai vazhdon të ushtrojë më shumë presion mbi Ukrainën sesa mbi Rusinë, vlerëson shkrimi i BBC.
Diplomatët perëndimorë kanë treguar që nga vera e kaluar se Trump pajtohet me Putinin se lëshimet territoriale nga Ukraina në Rusi janë çelësi i armëpushimit që Trump dëshiron, idealisht para verës së ardhshme.
E Shumë analistë jashtë Shtëpisë së Bardhë gjithashtu gjykojnë se Ukraina nuk mund ta fitojë luftën dhe, pa i bërë lëshime Moskës, do ta humbasë atë.
Lidhur me këto pretendime, Zelensky ka thënë: “… A do të humbasim? Sigurisht që jo, sepse po luftojmë për pavarësinë e Ukrainës”.
Zelensky ka thënë shpesh se Ukraina mund të fitojë, por si do të dukej fitorja?
Sigurisht, thekson ai, fitorja nënkuptonte rivendosjen e jetës normale për ukrainasit dhe përfundimin e vrasjeve.
Por pikëpamja më e gjerë e fitores që ai paraqiti ishte tërësisht për një kërcënim global që ai thotë se vjen nga Putini.
“Unë besoj se ndalimi i Putinit sot dhe parandalimi i tij nga pushtimi i Ukrainës është një fitore për të gjithë botën. Sepse Putini nuk do të ndalet te Ukraina”, ka thënë ndër tjerash Zelensky.
Deklaratat e kreut të Ukrainës vijnë katër vjet pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi në televizionin kombëtar se forcat e armatosura të vendit kishin filluar një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës.
Lufta, e njohur sipas Kremlinit zyrtar si “një operacion ushtarak special” (SMO), tani ka zgjatur më shumë se përfshirja e Rusisë në Luftën e Dytë Botërore nga viti 1941 deri në vitin 1945.
Vdekjet ruse në luftime, të verifikuara nga BBC dhe media e pavarur ruse MediaZona, tani kanë tejkaluar 186,000 – gati 13 herë humbjet e Ushtrisë së Kuqe gjatë gjithë luftës së viteve 1980 në Afganistan, e cila zgjati një dekadë dhe përfshinte ushtarë nga e gjithë Bashkimi Sovjetik.


