Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian.Zv.kryeministri Italian Antonio Tajani shprehu edhe njëherë mbështetjen për integrimin e vendit tonë ndërsa foli në ministerialin e forumit të Korridorit të VIII, i cili po mbahet në Tiranë. Tajani tha se Shqipëria është vend europian, ndërsa shtoi se Korridori VIII është pjesë e strategjisë për bashkimin e Ballkanit me BE-në.
“Do bëjmë maksimumin që ju të jeni pjesë e BE dhe jam shumë i qartë se Ballkani Perëndimor dhe kjo është e rëndësishme se edhe Ukraina duhet të jenë pjesë dhe ky është një ribashkim sepse ju jeni evropianë. Më 30 mars do të kemi një takim me grupin e miqve të Ballkanit për të afirmuar mbështetjen për bashkimin e rajonit. korridori 8 është përparësi e përbashkët strategjike për ekonomitë tona”, tha ai.
Realizimi i projektit të Korridorit të VIII shihet nga Italia si një element shumë i rëndësishëm edhe për sigurinë në rajon.
“Siguria sot ka rëndësi më shumë se kurrë dhe korridori VIII është i rëndësishëm për lëvizjen ushtarake për të zhvilluar shtyllat Europiane në NATO. Për këtë duhet bërë më shumë për avancimin me nismën, pasi për lëvizshmërinë e NATO kjo infrastrukturë është e rëndësishme. Jam gati të këmbëngul në Bruksel për të nxitur procesin.
Për ministren shqiptare Elisa Spiropali projekti i korridorit të VIII është një nyje e rëndësishme që lidh detin e zi me Adriatikun.
“Ne kemi një portofol projektesh prioritare me vlerë mbi dy miliardë euro dhe shumica e tyre janë tashmë të gatshme për zbatim. Në sektorin hekurudhor, linja Durrës–Rrogozhinë po avancon me financim evropian. Punimet inxhinierike për segmentin pasues drejt Pogradecit kanë nisur. Ndërkohë, linja e re hekurudhore që lidh Tiranën me Durrësin dhe aeroportin ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit. Në sektorin rrugor, segmentet kryesore nga porti drejt kufirit lindor janë në ndërtim ose në faza të avancuara përgatitore. Në sektorin e energjisë, interkonjeksioni 400-kilovolt me Maqedoninë e Veriut, që ndjek gjurmën e korridorit, është pranë përfundimit. Pra, porta perëndimore e Korridorit VIII nuk është më një ide”, tha ajo.
Tirana është shndërruan këtë të mërkurë në qendrën e dialogut rajonal për riafirmimin e rëndësisë strategjike të një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe gjeopolitike të rajonit: me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Italia dhe Rumania, si dhe përfaqësues nga vende partnere.
Forumi synon të mobilizojë instrumente evropiane dhe ndërkombëtare financimi për ta shndërruar Korridorin VIII në një katalizator të investimeve, rritjes dhe integrimit ekonomik rajonal.


